Pezullimi i Shqipërisë, njëlloj më atë të Çadit e Madagaskarit
Shqipëria është e njëjtë me Çadin dhe Madagaskarin, të paktën në mënyrën se si qeveria e tre vendeve trajton futbollin dhe autonominë e federatës së saj. Ky përfundim del thjeshtë nga fakti se gjatë muajit të fundit, Shqipëria, Çadi dhe Madagaskari janë pezulluar nga arena ndërkombëtare pas vendimit të FIFA-s me të njëjtin motivacion: ndërhyrje politike në autonominë e federatave të futbollit të këtyre vendeve. I fundit në listën e të pezulluarve ka qenë shteti i Çadit, pasi autoritetet e këtij vendi injoruan, ashtu si shteti shqiptar, paralajmërimet e vazhdueshme të FIFA-s. Organizata që drejton futbollin botëror e mori vendimin e saj pasi ministri i Sportit i Çadit vendosi për shpërbërjen e Federatës së Futbollit. "Këto vendime janë një thyerje e qartë e statusit të FIFA-s, në veçanti nenit 17, i cili garanton pavarësinë e federatave anëtare", ishte deklarata zyrtare e FIFA-s pas përjashtimit të Çadit. Si në rastin e Shqipërisë, klubet nga Çadi dhe kombëtarja e këtij vendi u pezulluan nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare. Me pak fjalë, Çadi nuk do të luajë kualifikuesen për Kupën e Kombeve të Afrikës kundër Kongos, e planifikuar për fundjavën e ardhshme. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2010. Si për ironi të fatit, vendimi drastik i FIFA-s erdhi pasi ministri i Sporteve shpërndau Komitetin Ekzekutiv të federatës për të zhvilluar Asamblenë e Përgjithshme, duke dashur të kopjojë homologun e tij të Madagaskarit, vend i cili u pezullua vetëm një muaj më parë. Ashtu si shtetet afrikane, edhe MTKRS-ja në vendin tonë, akuzohet për shkelje të nenit 17 të statusit të FIFA-s, një koncept ky i përsëritur vetëm pak ditë më parë nga drejtuesit më të lartë të FIFA-s. Ndaj në këtë rast, një paralelizëm mes Çadit, Madagaskarit dhe Shqipërisë është më se i lehtë për t‘u bërë, pasi në të tria vendet, titullarët e qeverisë nuk kanë respektuar autoritetin e FIFA-s, me pasoja të pashmangshme si pezullimi nga arena ndërkombëtare.