Besëlidhja, hap i sigurt në Korçë
Skuadra e Besëlidhjes ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme përballë Skënderbeut në Korçë, duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesën në Kategorinë Superiore. Ekipi i drejtuar nga Ilir Gjyla ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë, duke arritur të sigurojë një fitore të thjeshtë 2-0 përballë korçarëve, për të provuar shkëputjen nga skuadrat që gjenden pranë saj në fundin e renditjes. Lezhjanët kanë rrezikuar që në minutat e para të takimit, kur Ivanaj dhe Da Silva janë gjetur para portës së Llapanjit, por kanë gabuar në momentin e fundit, të ndalur në mënyrë të shkëlqyer nga portieri korçar. Megjithatë, ky insistim që në minutat e para bën që lezhjanët të gjejnë edhe golin e avantazhit falë një 11-metërshi të fituar nga Ivanaj në minutën e 7-të. Nga pika e bardhë ekzekuton saktësisht Ngjela, i cili shënon ndaj ish-skuadrës së tij, duke kaluar në avantazh Besëlidhjen. Skënderbeu zgjohet dhe provon të shënojë, por Kepi dhe Shtupina gabojnë dy herë radhazi përpara portës lezhjane. Edhe në pjesën e dytë, janë vendasit që i afrohen golit të barazimit me anë të Shtupinës, por sulmuesi i ri i Skënderbeut nuk arrin të gjejë kuadratin. Besëlidhja reagon me anë të Përlleshit dhe Grudës, por Llapanji arrin të mbajë në lojë skuadrën e tij. Megjithatë, korçarët duken të pafuqishëm për të çarë mbrojtjen e kujdesshme të miqve dhe me kalimin e minutave e kuptojnë se do të jetë e pamundur për të marrë qoftë edhe një barazim në këtë sfidë. Shpresat e korçarëve shuhen përfundimisht në minutën e 92-të, kur Da Silva shfaqet i vetëm para Llapanjit dhe mposht portierin korçar, duke vulosur rezultatin 2-0 dhe një sukses shumë të rëndësishëm në luftën për mbijetesë.