E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani humb shansin për konfirmim

Partizani ka shkatërruar me duart e tij mundësinë për të vënë në presion Dinamon në luftën për titullin kampion. Skuadra ka harruar paraqitjet bindëse të javëve të kaluara, duke zhvilluar një ndeshje të shëmtuar përballë Kastriotit, të mbyllur në barazim 0-0. Mungesa e Devollit të pezulluar dhe Shkëmbit të dëmtuar duket se kanë penalizuar lojën e të kuqve, të cilët e kanë pasur shumë të vështirë të krijonin aksione të mirëfillta para portës krutane. Miqtë e drejtuar nga Ndreu kanë bërë një rezistencë të fortë dhe sikur të kishin qenë pak më të vëmendshëm para portës së Shehit, mund të ishin larguar nga Tirana me tri pikë shumë të vlefshme.

Që në fillimin e ndeshjes dukej qartë që Partizani nuk ishte në një ditë të mirë. Të kuqtë janë të pavëmendshëm dhe që në minutën e dytë rrezikojnë të pësojnë golin e disavantazhit. Rizvanolli kalon mbrojtjen dhe portierin Shehi, por gabon në mënyrë të pabesueshme me portën e boshatisur, duke e dërguar topin jashtë kuadratit. Pritet reagimi i Partizanit, por një gjë e tillë nuk ndodh. Skuadra e Likës gabon në mënyrë të pabesueshme pasime shumë të thjeshta dhe e ka të vështirë të çajë në mesfushën dhe mbrojtjen e ngjeshur të krutanëve, të cilët, nga ana e tyre, mendojnë vetëm për mbrojtjen. Si rrjedhojë, takimi bëhet i mërzitshëm, kryesisht vetëm me dyluftime në mesfushë dhe pasime të gabuara nga të dyja skuadrat. Mustafa dhe Shehi kalojnë thuajse gjithë pjesën e parë në rolin e spektatorit, pa u vënë në provë nga sulmuesit kundërshtarë dhe si rrjedhojë skuadrat shkojnë në pushimin e takimit me rrjeta të paprekura.

Duket se pushimi u bën mirë të kuqve, të cilët hyjnë më të motivuar në fushë dhe provojnë të bëjnë diçka përpara, ndonëse në mënyrë shumë kaotike. Në minutën e 55-të është Hallaçi që provon të harkojë në zonë për Abilaliajn, por sulmuesi i Partizanit nuk arrin të devijojë topin në portë, duke humbur një mundësi të mirë. Ndreu e kupton që Partizani është zgjuar dhe hedh forca të freskëta në mesfushë, për të bllokuar çdo iniciativë të skuadrës vendase. Duke shfrytëzuar edhe pasaktësinë e Partizanit, krutanët krijojnë një gardh të pakalueshëm para portës së Mustafës, i cili thjesht ndjek me sy tentativat nga distanca të futbollistëve kundërshtarë, të cilat nuk gjejnë as kuadratin. Ashtu si në fillimin e pjesës së parë, Kastrioti ka një rast të mirë për të siguruar një fitore të bujshme, por gjuajtja e Lleshit në minutën e 82-të pas një kundërsulmi të shpejtë neutralizohet nga Shehi që shpëton portën e tij. Minutat e mbetura janë thjesht administrim loje për krutanët që largohen nga Tirana, të kënaqur edhe me pikën e vlefshme që arritën të marrin. Në fund të 90 minutave, Lika nuk i ka kursyer kritikat për lojtarët e tij, duke e cilësuar mendjemadhësi mënyrën se si e kishin interpretuar këtë ndeshje. "Ndoshta çunat e menduan të fituar ndeshjen para se të luhej. Kemi punuar gjatë të gjithë javës, që një gjë e tillë të mos ndodhte, por ja që fatkeqësisht ndodhi. Skuadra nuk e interpretoi siç duhej lojën për asnjë minutë dhe mesfusha me sulmin bënë shumë gabime", ishte komenti i trajnerit të Partizanit, i ndërgjegjshëm se sapo ishte humbur një nga mundësitë e mira për të realizuar parakalimin vendimtar ndaj Dinamos në luftën për titull.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›