E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkumbini, fat për Xhihanin

Besa kalon lehtësisht Shkumbinin me rezultatin 3-0 dhe fiton tri pikë shumë të rëndësishme në garën për të siguruar vendin e tretë. Njeriu i ndeshjes ka qenë padyshim kapiteni Parid Xhihani, me dy rrjeta të shënuara, ndërkohë që protagonist është bërë edhe Alikaj me një supergol nga një distancë e largët. Për Xhihanin duket se përballjet me skuadrën peqinase sjellin fat: sulmuesi nuk shënonte prej pesë javësh, sfida e fituar 1-0 pikërisht kundër Shkumbinit në javën e 20-të.

Përballja e së shtunës ka filluar në mënyrën më të mirë për skuadrën e drejtuar nga Sulejman Starova: vetëm pas 7 minutave lojë, Xhihani shfrytëzon një asist të bukur të Mancakut dhe përshëndet rrjetën. Besa ka fjalën e parë në lojë dhe vazhdon të kërkojë golin e dytë, ndërkohë që miqtë duken apatik dhe të pafuqishëm për të reaguar. Fillimisht është mbrojtësi peqinas, Ndoni, që rrezikon të shënojë autogol, ndërsa pak momente më vonë Xhihani nuk arrin të mposhtë Llanin. Shkumbini tenton të reagojë me goditjet e dënimit të kalibruara në mënyrë perfekte nga Ilir Qorri, por sulmuesi është i pafat, pasi topi përplaset në traversë. Ky episod nuk i shqetëson kavajasit që vazhdojnë të luajnë rrjedhshëm dhe të dyfishojnë shifrat. Në minutën e 22-të, Artim Shaqiri kroson nga e djathta dhe Xhihani vetëm dy hapa larg portës nuk e ka të vështirë të shënojë.

Pas pushimit 15-minutësh, tekniku Magani (i ndodhur në tribunë për shkak të pezullimit nga Disiplinori në FSHF) tenton të ndryshojë taktikë, por skuadra e tij nuk gjen forcën e duhur për të reaguar. Përkundrazi, përpara fërshëllimës finale të sfidës janë vendasit ata që shënojnë sërish, këtë herë me Enkel Alikajn. Mesfushori lëshon një "predhë" nga 35 metra dhe për t‘ia shtuar bukurinë golit, sfera përplaset në të dyja shtyllat përpara se të përfundojë në rrjetë. Kjo paraqitje ka konfirmuar formën e mirë të verdhezinjve që e kanë zgjatur serinë e rezultateve pozitive në shtëpi: 4 fitore në 4 ndeshjet e fundit. Humbja e fundit në stadiumin "Besa" është regjistruar në javën e 18-të, me autorësinë e Igli Allmuçës dhe Dinamos.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›