Apolonia vazhdon të mbushet me varreza
Prej katër vjetësh, një pjesë e territorit të Parkut Arkeologjik të Apolonisë mbetet e zaptuar për varreza. Gjendja nuk ka ndryshuar as sot. Me pëlqimin e Komunës Dermenas, në kodrën që quhet Shën Thanasi, në kujtim të një kishe të vjetër që ka ekzistuar aty, vazhdohet të kryhen rite mortore. Pjesa prej disa hektarësh është zonë arkeologjike A, ku densiteti i mbetjeve arkeologjike është shumë i madh. Atëkohë problemi u bë prezent nga strukturat e parkut, nga Ministria e Kulturës, por asgjë nuk ka ndryshuar edhe sot në vendimin e komunës. Pak kohë më parë, arkeologu Neritan Ceka, teksa foli për reformën e trashëgimisë dhe parashikimin që parqet e mëdha arkeologjike të vihen në funksion të turistëve me hapësira të reja, u ndal edhe tek Apolonia. Theksoi se rreth 90% e saj është e pazbuluar. Një nga këto territore është edhe kodra e Shën Thanasit, e përshtatur për varrezë nga banorët e fshatrave përreth. Dëmtimet mund të jenë të pakthyeshme edhe pse administruesit e këtij territori, përfaqësuesit e kishës, kanë theksuar se nuk do të cenojnë pjesët arkeologjike që mund të dalin gjatë hapjes së varreve dhe do të spostohen në raste të tilla. Por kjo gjithsesi mbetet në vullnetin e tyre. Pak kohë më parë, gjatë promovimit të librit kushtuar tumave të Apolonisë në Akademinë e Shkencave, një arkeolog gjeti rastin të ngrinte edhe njëherë shqetësimin e varrezave. Gjithçka mbeti po brenda asaj salle. Drejtori i Zyrës së Koordinimit dhe Administrimit të Parkut, Marin Haxhimihali, shprehet se fatkeqësisht në këtë zonë vazhdojnë ende të kryhen varrime, ndonëse jo me ritmet e mëparshme. Sipas tij, fshatrat përreth nuk e kanë të ngutshme një varrezë në këtë kodër, duke qenë se kanë varrezat e tyre. “Për specialistët, kjo zonë, rrethimi i së cilës ngrihet mbi murin rrethues të qytetit antik, duke dëmtuar arbitrarisht këtë monument, do të përbënte interes të veçantë arkeologjik. Pjesa që zënë varret është sot vetëm 1\3 e hapësirës së rrethuar. Në këto kushte unë do të propozoja që rrethimi të kufizohet deri në varret ekzistues dhe pjesa tjetër të vihet në dispozicion të arkeologëve për gërmime”, shprehet Haxhimihali. Sipas tij, duhet vullneti i pushtetit lokal që të mbrohet kjo trashëgimi kulturore që jo gjithnjë ecën në të njëjtin kah me nevojat e banorëve. Duke theksuar se propozimi i tij nuk i prek varret ekzistues, drejtori thekson se kjo duhet të ketë një zgjidhje sa të mos jetë plotësisht vonë. Nga ana tjetër, ky problem sipas tij mbart edhe koston mjedisore. Ceremonitë mortore apo përkujtimore prodhojnë mbeturina që hidhen majtas apo djathtas, duke ndotur ambientin e duke ia lënë koston e pastrimit, për aq sa mund të përballë, parkut. Mbetje kurorash, qesesh, mbeturina qirinjsh, por edhe inerte, fragmente mermeri, copa betoni, gjenden në këtë sektor të parkut. “Secili nga fshatrat ka varrezën e vet: fshati Pojan ka një varrezë të hapur relativisht vonë, fshati Avaleas ka varrezën e tij, mbetet pak problematike pjesa e Shtyllasit, por ky fshat i përket Komunës së Levanit dhe është jashtë parkut. Në rastin e Apolonisë gjykoj që është e domosdoshme ruajtja e këtyre vlerave kur popullata i ka të gjitha mundësitë t’i varrosë në varrezat ekzistuese të fshatrave përreth. I takon pushtetit lokal të marrë një vendim radikal të paktën për pezullimin e varrimeve të mëtejshme”, shprehet Haxhimihali. Sipas tij, gjatë katër viteve që ka qenë në krye të administrimit të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, pushteti lokal është përfshirë shumë pak në proceset e zhvillimit. “Unë kam mbetur shumë i zhgënjyer kur pashë se në planin e zhvillimit të komunës, Apolonia përmendet shumë shkarazi, ndërkohë që duhet të ishte krejt e kundërta. Apolonia duhet të ishte aksi i zhvillimit të kësaj komune. Vet politika jonë është e tillë: parku u përket para së gjithave banorëve që jetojnë aty”, thekson Haxhimihali. Deri më tani, kjo çështje është konsideruar thuajse e harruar jo vetëm nga strukturat e pushtetit lokal, por edhe nga institucionet qendrore të trashëgimisë që e rreshtojnë Apoloninë në Parkun e dytë Kombëtar më të madh në vend pas Butrintit.
#