E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Ndarja e Kosovës do të kishte efektin domino në botë

Shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Vensen Dezher: Asnjë vend anëtar i BE-së nuk është për ndarjen e Kosovës

Asnjë vend anëtar i BE-së nuk është për ndarjen e Kosovës, sepse kjo gjë do të kishte efektin domino jo vetëm në rajon, por edhe në botë, theksoi, midis të tjerave, shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Vensen Dezher, në një intervistë që i dha dje gazetës së përditshme serbe “Politika”. “Duhet të punohet që të gjendet një zgjidhje paqësore, e qëndrueshme dhe afatgjate”, tha ai, duke theksuar se çështja e ndarjes së Kosovës nuk është në rend të ditës. Sipas Dezherit, është fakt se “ekzistojnë shumë ide”, për të cilat po flitet mjaft kohët e fundit, se kjo çështje mundet të zgjidhet sipas modeleve përkatëse në rastet e Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut ose të Suedisë e të Finlandës. “Secila situatë është e veçantë, ndërkohë që kjo në Serbi është unike. Duket sikur asgjë nuk mund të kopjohet ose të imponohet si ndonjë lloj zgjidhjeje”, tha shefi i delegacionit të BE-së në Beograd, ndërsa u shpreh se sidoqoftë, para së gjithash, duhet të pritet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së Hagës për vlefshmërinë e pavarësisë së Kosovës. “BE-ja ka dëshirë që të gjitha palët e interesuara të ulen në tryezë dhe të bisedojnë, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të gjetur zgjidhjen”, tha Dezheri, duke shtuar se “BE-ja disponon një strategji për Kosovën dhe ka konsensusin e vendeve anëtare të saj për këtë çështje”. Duke theksuar se roli i EULEX-it në Kosovë është mjaft pozitiv, Dezheri paralajmëroi se “tani është e rëndësishme që të pengohen të gjitha provokacionet që ndodhin në terren, si ai i fundit në pjesën veriore të Mitrovicës”.

Sa i përket anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Europian, shefi i delegacionit të këtij të fundit në Serbi vuri në dukje se për këtë çështje duhet konsensusi i plotë i të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe se konfrontimi i saj me disa nga këta vende “do të mund ta kalonte këtë çështje për zgjidhje në një kohë të largët”. Sidoqoftë, Dezheri tha se Serbia ka bërë një “progres shumë të madh” në rrugën e integrimeve europiane, se ekziston e ardhmja europiane e këtij vendi dhe dëshira që ajo të integrohet në bashkësinë europiane. “Serbia është e pranishme në strategjinë tonë të zhvillimit të BE-së deri në vitin 2020, në të cilën bën pjesë i gjithë Ballkani Perëndimor”, theksoi zyrtari i lartë i BE-së në kryeqytetin serb.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›