QKK: Katër premiera të filmit artistik në vjeshtë
vendit tonë në disa organizma ndërkombëtare të prodhimit të filmit në botë. Të gjitha këto bëhen të ditura në raportin e punës gjashtëmujore të Qendrës Kombëtare Kinematografike. Gjatë muajit korrik do të zhvillohet dhe mbledhja e KMP për të miratuar financimin e projekteve festivaleve dhe javë filmi, ndërkohë, në vjeshtë pritet të bëhen premierat e këtyre filmave: Shqiptari, skenari Johannes Naber, Andeta Spahivogli, regjia Johanes Naber. Pharmakon, regjia Joni Shanaj. Out of Touch, Skenari Andi Deliana, Enkel Demi, regjia Andi Deliana, Maya, skenari Luljeta Lleshanaku, regjia Pluton Vasi. Në vijim të raportit të saj QKK bën të ditur se në Shqipëri aplikohet me buxhetin e vogël të filmit, që në botë nuk është i panjohur, por është karakteristik për të gjithë vendet e vogla që duan të shprehen në artin kinematografik, ndërkaq që dalja nga buxheti i vogël në atë të mesëm është një nga synimet prioritare të QKK. Një rëndësi të veçantë në prodhimet kinematografike ka marrë dhe ligji për kinematografinë. Në raportin e QKK pohohet se në dekadën e fundit, në sajë të Ligjit Për Kinematografinë janë arritur suksese të dukshme brenda dhe jashtë vendit, ku filmi shqiptar ka marrë identitet dhe fizionomi të veçantë në artin bashkëkohor ndërkombëtar. Të gjithë jemi dëshmitarë se sa mbështetje gjejnë vlerat e këtij arti dhe se kjo është shndërruar në një opozitë ndaj filmit komercial. Sipas vështrimit që mbështetet në parimet estetike, lidhja e binomit producent-regjisor bëhet e vështirë përderisa autorët e mendojnë krijimtarinë si universale dhe të paprekshme nga forcat skematike të tregut. Më tej në raportin e QKK pohohet se tregu, që përfaqësohet nga publiku, kërcënon se, nëse kjo kinematografi nuk shkon mbas shijes së përgjithshme, do ti lërë artistët pa mbështetje financiare dhe nga ana tjetër, artistët synojnë gjithnjë të ruajnë pozicionin e elitës ose të zgjedhurit, duke u përpjekur të jenë avanguardë dhe tribunë e vlerave. Në këto kushte, midis kësaj ngrehine të madhe, dëshirave të publikut dhe rolit elitar të artistëve qëndron Qendra Kombëtare Kinematografike, thuhet më tej në këtë bilanc të punës gjashtëmujore të QKK. Me qëllim që interesi i industrisë së madhe të filmit të kthejë vëmendjen edhe nga arti kinematografik Shqiptar, në këtë raport të saj QKK pohon se vazhdimisht nxit autorët dhe producentët të jenë më të vëmendshëm ndaj kërkesave të tregut, pa prekur thelbin e një krijimtarie të mirëfilltë, me anë të aplikimeve, kontakteve dhe promovimeve të sukseseve të kinemasë Shqiptare. Iniciativat e vazhdueshme për anëtarësimet ndërkombëtare dhe promovimin e kinemasë shqiptare, do ta kthejnë kinematografinë në pjesë të asaj botërore. Po ashtu e rëndësishme në këtë raport është se vërehet se arti kinematografik ka hedhur hapa të ndrojtur drejt elitave botërore. QKK është pranuar tashmë si një institucion që ka realizuar praktikën e shumë prodhimeve kinematografike, është njohur gjithashtu nga simotrat e saj në Ballkan përmes strukturave të SEE ku QKK bën pjesë. Futja e Shqipërisë në Eurimages vitin e kaluar plotëson akoma më shumë imazhin ndërkombëtar të institucionit. Raporti i bilancit të punës së QKK cilëson si të rëndësishme dhe anëtarësimin së fundi në European Film Promotion (EFP) dhe hapja e pavijonit për promovimin e kinematografisë shqiptare në Festivalin e Kanës, gjë që do të ndikojë në rritjen e bashkëprodhimeve dhe rritjen e mbështetjes financiare dhe, ajo që është më e rëndësishme, do të sjellë çlirimin përfundimtar nga zgjedha e industrisë lokale të filmit. Veç miratimit të disa projekteve që i takojnë filmave dokumentarë dhe atyre të shkurtër para disa kohësh bordi pranë QKK miratoi dhe 3 projekte për filma artistikë me metrazh të gjatë vepër e konkretisht: Amnistia, regjia Bujar Alimani, Bota, regjia Iris Elezi, Udhëkryqi, regjia Robert Budina, po ashtu janë miratuar dhe disa filma diploma të studentëve. Kriteri kryesor në procedurën përzgjedhëse për financimin e projekteve kinematografike janë vlerat artistike të cilat pasqyrojnë talentin dhe kapacitetin krijues të kineastëve shqiptarë.
Bandat frymore pushtojnë Sarandën
Prej tre ditësh 20 orkestra dhe ansamble frymore nga vendi e rajoni janë bërë pjesë e Festivalit të Pestë të Orkestrave Frymore, që siç është bërë tashmë traditë edhe këtë vit ai ka startuar në Sarandë dhe në Himarë. Nga data 10 deri 15 korrik 2010, Klubi Kombëtar i Orkestrave Frymore me mbështetjen e MTKRS dhe të bashkive Sarandë e Himarë, organizon edicionin e pestë të festivalit, ndërkohë që për herë të parë, paralelisht me festivalin nga K.O.F organizohet dhe Akademia Muzikore Verore. Në këtë jubile të festivalit, drejtori artistik i tij, Edmond Doko, ia atribuon një pjesë të madhe të meritës mjeshtrave të instrumenteve frymorë: Fatos Jaho, Ilir Gjoka, Bashkim Barbullushi, Sokol Saraçi, Gazmor Halilaj, Andrea Canaj, Xhemali Murraj, etj. Kur diskutonim për rizgjimin e traditës së orkestrave frymore, kurrsesi nuk na shkonte mendja, që për një 5-vjeçar, orkestrat frymore do të kishin festivalin e tyre, do të njihnin jo vetëm konsolidim, rritje të nivelit, por dhe rritje të numrit të tyre. Është kënaqësi të shikosh mjeshtër të rinj të instrumenteve frymor që mbushin formacione muzikore të traditës apo që rishtas lindin, pohon Doko. Festivali i Orkestrave Frymore është i vetmi aktivitet i këtij lloji në Shqipëri. President i festivalit është zoti Edmond Gjoka, kryetar i Bashkisë Sarandë dhe drejtor artistik i festivalit është dirigjenti Edmond Doko. Duhet theksuar, që festivale të tilla janë të shpeshta në zona turistike të rajonit e më gjerë. Realizimi me sukses i tij imponohet edhe nga zhvillimet cilësore në fushën e turizmit, që Saranda e bregdeti i jugut të vendit përjeton. Është plotësisht e ligjshme të krenohemi e gëzohemi në këtë jubile të Festivalit të Orkestrave Frymore në qytetin tonë. Qyteti dhe zhvillimi i turizmit ka nevojë dhe për performimin cilësor artistik që orkestrat frymore ofrojnë, shprehet presidenti i festivalit, Edmond Gjoka. Krahas orkestrave frymore të bashkive Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë, Fier, Elbasan, Sarandë, të orkestrës frymore të Forcave të Armatosura, si pjesëmarrëse nderi e përvitshme në festival, apo të ansambleve të ndryshme nga vendi, në këtë edicion do të marrin pjesë KOA Brass Ensemble dhe Filarmonia e Bashkisë ?gias Paraskevis Athinë (Greqi), Macbrasskuintet (FYROM) apo dhe banda muzikore e Contessa Entellina (Itali). Në fund të aktivitetit, një juri e përbërë nga personalitete artistike do të vlerësojë me çmime orkestrat frymore pjesëmarrëse në festival.
Regjisori Agusti Vila triumfon në Karlovy Vary, mposht 11 kandidatë
Regjisori spanjoll, Agusti Vila ka triumfuar në festivalin ndërkombëtar të filmit që zhvillohet në Çeki. Regjisori, ka fituar çmimin kryesor në festivalin e filmit Karlovy Vary, i cili mbahet në Republikën Çeke. Vila është nderuar me çmimin më të madh që ndahet në kuadër të këtij festivali, për filmin e tij të titulluar The Mosquito Net, duke mposhtur njëmbëdhjetë kandidatë të tjerë që kanë garuar për këtë çmim. Rolin kryesor në film e luan aktorja Geraldine Chaplin, vajza e legjendës së filmit Charlie Chapilin, e cila portretizon një të sëmurë nga alcajhmer. Aktori Jude Law është nderuar nga presidenti i festivalit me çmim për vepër jetësore. Në ceremoninë glamuroze të festivalit, e cila u mbajt të shtunën mbrëma, regjisori rus Nikita Mikhalkov dhe regjisori çek Juraj Herz, u nderuan me çmime për kontributet e tyre dhënë kinematografisë.