Buxheti mban peng 20 ekspedita arkeologjike, MASH asnjë përgjigje
Gjatë këtij sezoni ishin programuar 20 ekspedita arkeologjike, të cilat do të shtriheshin nga veriu në jug të vendit. Megjithëse ato duhet të kishin filluar prej disa kohësh, nga Instituti i Arkeologjisë mësohet se asnjë ekspeditë deri tani nuk ka nisur.
Shkak për këtë gjendje është bërë mosmiratimi i buxhetit nga MASH. Edhe pse projektet mbi ekspeditat i kanë shkuar prej kohësh institucionit përgjegjës, ende nuk ka asnjë reagim zyrtar. Ditët kalojnë dhe asgjë nuk flitet për buxhetin, që mban peng këto ekspedita. Në një kohë kur në gjithë botën jepen fonde me miliarda lekë për trashëgiminë kulturore, në vendin tonë bëhet sehir para këtij fakti. Specialistë të trashëgimisë dhe arkeologë të dëshpëruar para këtij fakti pohojnë se vjet në këtë kohë ekspeditat kishin nisur. Të cilësuara si shumë të rëndësishme, për pasurinë arkeologjike, tashmë të gjithë janë në pritje të çeljes së fondit, por kjo ditë duket ende e largët. Përveç bukurive të mahnitshme të malit dhe detit, Shqipëria ofron destinacione të mrekullueshme turistike me pasuritë e saj arkeologjike. Duke nisur nga veriu në jug, qytetet antike dhe zonat e panumërta arkeologjike e bëjnë Shqipërinë mjaft tërheqëse nga një tjetër këndvështrim për turistët e huaj. Shqipëria ruan në të gjithë hapësirën e saj parqe arkeologjike të rëndësishme për vjetërsinë e tyre, por njëkohësisht mjaft interesante për turistët e huaj sa i përket historisë së tyre. Një histori të tillë, mbresëlënëse turistët e huaj apo edhe arkeologët e apasionuar rreth antikitetit mund ta gjejnë në shumë vende antike të vendit tonë, dhe me anë të ekspeditave dalin në dritë shumë vlera të pazbuluara deri tani, të cilat e rrisin dhe më shumë imazhin e pasurisë arkeologjike shqiptare, e njohur për vlerat e saj dhe në botë. Duke u nisur nga këto vlera të habit fakti që strukturat shtetërore të rrinë kaq indiferente para këtyre vlerave. Të mësuar tashmë të flasim vetëm me fjalë të bukura në letër dhe asgjë konkrete, kjo duket sikur nuk u bën më përshtypje të gjithë atyre që janë përgjegjës për një situatë të tillë. E dëshpëruar para këtij fakti drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë, Shpresa Gjongecaj pohon se këto ekspedita ishin të programuara nga ky institut, dhe se me çeljen e buxhetit ato do të fillojnë menjëherë, por se kur ajo nuk mund të japë dot një përgjigje të saktë. Janë 20 ekspedita arkeologjike të programuar nga Instituti i Arkeologjisë gjatë këtij sezoni dhe arkeologët shqiptarë presin të përqendrohen në gërmime të rëndësishme nga veriu në jug të vendit. Ekspeditat do të zhvillohen duke nisur nga Antikiteti e deri në Mesjetën e vonë, por këtë vit gjithçka do të varet nga fondet. Projektet janë dorëzuar, ne kemi kërkuar fondet tek Ministria e Arsimit dhe shpresojmë që këto fonde të mbërrijnë në mënyrë që ekspeditat të kryhen në kohë, pohon drejtoresha Gjongecaj. Më tej ajo pohon se në rast se fondi nuk jepet, këtë vit nuk do të mund të realizohet asnjë ekspeditë, ndërsa ato më të huajt kanë gjasa që të realizohen.Pa buxhet nuk do të mund të realizojmë asnjë projekt me ekspedita. Instituti i Arkeologjisë nuk mund ti realizojë dot, ndërsa ato që janë në bashkëpunim me të huajt do të realizohen, por pa pasur mbështetjen e Institutit të Arkeologjisë, pohon drejtoresha e Gjongecaj. Ajo pohon se në këto ekspedita do të merrnin pjesë 25 arkeologë, por dhe studentë nga fakultete si Gjirokastër, Elbasan dhe Tiranë, ndërsa shton se vetë specialistët kanë vite që në ekspedita nuk u paguhen dietat. Ne për këto ekspedita kemi bashkëpunime dhe me studentë, të cilët së bashku me arkeologët merren me gërmime, aty ku janë dhe projekte. Një tjetër problem shqetësues ka të bëjë dhe me dietat. Në ekspedita specialistëve tanë nuk u paguhen dietat, kur ata shkojnë me projekte të ndryshme, dhe kjo varet vetëm nga fondet, tregon më tej drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë. Disa nga projektet më të rëndësishme që pritet të zhvillohen janë ato të Kallamasit, Bylisit, Apollonisë, Lezhës etj. Krahas ekspeditave në terren Instituti i Arkeologjisë synon që në vjeshtë të këtij viti të dixhitalizoj të gjithë fondin e tij, për ta bërë atë pjesë e rrjetit Europian të Arkeologjisë.
Ndërtimet e pakontrolluara, një katastrofë në vlerat arkeologjike
U bënë vite që flitet për ndërtimet që kanë shkatërruar shumë vlera arkeologjike, e duket se kjo panoramë nuk mjafton me kaq. Në një situatë të tillë të vjen keq që gjendesh para këtij fakti, ku është lënë çdo gjë në mëshirë të fatit. Nga ana tjetër nuk kanë qenë të pakta dhe rastet kur shumë parqe apo monumente kulturore kanë qenë para një shkatërrimi. Shkatërrimi i vlerave arkeologjike për ndërtime të pakontrolluara është bërë rrezik kombëtar për trashëgiminë që na kanë lënë të parët tanë? Shqipëria, për shkak të prapambetjes që trashëgoi në infrastrukturë, ka pasur një bum ndërtimesh në fushën e ndërtimit të rrugëve dhe banesave. Dihet se një pjesë e madhe e ndërtimeve private në zonat e ulëta dhe bregdetare u ndërtuan pa leje, por ato shkaktuan dhe dëmtime të mëdha në pasuritë arkeologjike. Sot kemi një panoramë mjeruese të asaj që duhet të ishte krenaria jonë. Fjalët e bukura tashmë nuk vlejnë më para një fakti të tillë. Nuk është folur pak për dëmtime, shkatërrime të vlerave tona arkeologjike, por nga ana tjetër masat që janë marrë nuk kanë qenë të mjaftueshme për të parandaluar këtë shkatërrim, të vlerave tona kombëtare. Ka pasur dhe ndërtime me leje apo edhe pa leje edhe në qendrat arkeologjike të Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Vlorës, Elbasanit, Sarandës, Butrintit, Margëlliçit, Ballshit, Bylisit, Apolonisë etj, të cilat kanë çuar dhe më tej degradimin e këtyre vlerave. Kur të gjithë presin që të shikojnë ndryshimin, duket se ai do të jetë shumë larg për të sjellë atë që kërkon sot trashëgimia jonë. Megjithëse në prezantimin e shumë projekteve është folur se si do të ndikojnë ato në këto vlera kombëtare, panorama që shikojmë sot lë për të dëshiruar. Megjithëse janë bërë disa investime, në disa zona arkeologjike, një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë qenë dhe në bashkëpunim me të huajt. Situata problematike që haset sot në trashëgiminë kulturore të vendit tonë, tregon shumë qartë se investimet apo dhe politikat që janë ndjekur nuk kanë dhënë rezultatet e dëshiruara. Nuk ka ditë që të mos dëgjohet dhe mos të flitet për dëmtime në parqe apo monumente kulture. Tashmë nuk duhet të bëhet më sehir në një kohë kur në botë shpenzohen miliarda, kur themi që trashëgimia luan rol dhe në turizmin shqiptar, atëherë duhet të merren më shumë masa që ajo të mos shkatërrohet.
Projektet arkeologjike, që presin buxhetin për vitin 2010
Në vazhdim të vitit 2009
Korçë
-Kërkime arkeologjike shqiptaro-franceze në vendbanimin prehistorik neotik në fshatin -Kallamas, në bregliqenin e Prespës së Madhe, korrik-gusht.
-Projekti shqiptaro-grek në ishullin e Maligradit, maj.
-Prospeksion në pjesën jugore të bregliqenit të dikurshëm të Maliqit, shtator.
-Gërmime në terren në pellgun e Korçës kuadër të projektit Neoliti i Hershëm në Shqipëri, gusht-shtator.
Apoloni
-Projekti shqiptaro-francez Apolonia. Vazhdim i gërmimeve në sektorin G dhe në portikun verior të Agorasë, gusht-shtator.
-Projekti shqiptaro-gjerman Teatri i Apolonisë. Gërmimet e këtij viti do të jenë në vazhdim të gërmimeve të vitit 2009 dhe do të përqendrohen në disa sektorë.
Sarandë
-Ekspedita arkeologjike Butrint.
Finiq
Projekti shqiptaro-italian i Finiqit, do të vazhdojnë gërmimet në teatër dhe nekropol, shtator.
Sofrakatia
-Projekti shqiptaro-italian Handrianopoli. Gërmime në forumin dhe banjën e qytetit antik, 25korrik-30gusht.
Vlorë
-Projekti shqiptaro-zviceran Oriku. Gërmime në anën veri-lindore të kodrës, në vazhdim të gërmimeve të vitit 2009. Vazhdimi i surjeve magnetometrike në nekrol. Sondazhe në murin rrethues të qytetit 1-30 shtator.
Kërkime nënujore në bregdetin shqiptar
-Projekti shqiptaro-italian Libruna