Apostoli: PSD po bën shantazhe
03/02/2005 Deputeti socialdemokrat Gaqo Apostoli i ka dërguar një deklaratë kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, ku shprehet: "Jam deputet i PSD-së dhe mbroj interesat e elektoratit socialdemokrat". Apostoli ka theksuar gjithashtu në deklaratë se, nuk do të bëjë pjesë në një grup parlamentar të ashtuquajtur socialdemokrat, i cili ka në përbërje të tij një mazhorancë me deputetë të Partisë Socialiste. Ndërkohë që, Apostoli ka reaguar ndaj deklaratës së dalë dy ditë më parë nga selia e PSD-së, duke e cilësuar si një shantazh për të dorëzuar mandatin e deputetit. Përçarja mes deputetit Apostoli dhe kryetarit të PSD-së, Skënder Gjinushi, vazhdojnë të thellohen akoma më shumë pas paraqitjes së platformës për demokratizim të PSD-së nga Apostoli. Kjo platformë ka gjetur kundërshtimin e Gjinushit dhe mbështetësve të tij. Tashmë, Apostoli pritet të fillojë dhe konstituimin e platformës së tij, duke inicuar kështu një lëvizje brenda PSD-së. Pavarësisht këtyre, Apostoli kërkon mbledhjen urgjente të partisë për të analizuar me seriozitet të gjithë zhvillimet e kohëve të fundit.