Fillojnë nga puna komisionet për kthimin dhe kompensimin e pronave
03/02/2005 Me një ligj të posaçëm në Shqipëri ka nisur procesi për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme. Banesat e ndërtuara prej vitit 1992 deri në vitin 2004 dhe që nuk prekin urbanistikën, do të ligjërohen vetëm pasi të jetë paguar fatura përkatëse. Ndërsa çmimi për blerjen e truallit, që do të legalizohet nga ndërtuesi, do të përcaktohet me një vendim të veçantë nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave. Metodika që do të miratohet prej këtij komiteti, do të kalojë për votim në Kuvendin e Shqipërisë, për të kaluar më pas në zbatim konkret. Puna për caktimin e çmimit ka nisur prej një muaji dhe pritet të kalojë për miratim javën e ardhshme. Shkak për këtë vonesë është bërë kontrollimi i testeve të provimit për anëtarët e ardhshëm të komisioneve vendore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Burimet thanë se dje ka përfunduar procesi i përzgjedhjes së fituesve. Komisionet vendore do të nisin punën pas shpalljes publike nga Komiteti Shtetëror, që do të miratojë dhe rregulloren e funksionimit të tyre. Megjithatë, tashmë është përcaktuar se komisionet vendore vendimet mbi dosjet e paraqitura duhet t'i japin brenda 45 ditëve. Gjithsesi nga vendimi i Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të pronave mbi metodikën e çmimeve të tokës, varet dhe realizimi i procesit të legalizimit të ndërtimeve të paligjshme.