E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: Politika të mos spekulojë me vdekjen e nxënësve

19/10/2004  

Fatos Nano e ka cilësuar spekulim politik transmetimin e lajmit të festës së tij në buzuqet e Greqisë ditën e varrosjes së 16 nxënësve. Në një prononcim të dhënë për mediat, ai tha se vlerëson faktin që mediat shqiptare kanë pasqyruar në mënyrë të detajuar ngjarjen tragjike. Ai ka kujtuar në prononcimin e tij, se ka marrë dhe një mesazh falenderimi prej Kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili ka falenderuar qeverinë shqiptare për ndihmën e dhënë dhe për reagimin e menjëhershëm në ndihmë të nxënësve të Kosovës. "Nuk jam politikan që ndërtoj karrierën time politike mbi tragjeditë apo spekulimet me të", tha Nano në qëndrimin e tij. Ndërkohë dje kanë vërshyer dhe një sërë reagimesh ndaj kreut të qeverisë, reagime që kanë shkuar deri në kërkesat për mocion mosbesimi.

Reagimi

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Bamir Topi, tha dje për "Metropol", se çdo shqiptar e konsideron festën e Nanos një ditë pas zisë si një veprim të papërgjegjshëm dhe kjo nuk ka vend për komente të tepërta. Nga ana tjetër, ai ka bërë të ditur se çdo veprim parlamentar mund të ndërmerret vetëm në forumet e partisë, pasi në këtë mënyrë dhe angazhimi do të jetë më i lartë. Sokol Olldashi në lidhje me këtë tha se, "në përputhje me shprehjen paç fatin e zonjës së mirë, do të thoja që Kryeministri Fatos ka fatin e zonjës së tij Xhoana dhe është normale që në një rast të tij më shumë se ambientet kryeministrore ai do të frekuentojë ambientet xhoanore". Ndërsa ka qenë Sabri Godo që ka hedhur idenë për një mocion mosbesimi ndaj kreut të qeverisë. "A mund të lejohet më qëndrimi në krye të qeverisë e një personi të tillë. Unë them se kësaj here opozita duhet medoemos të paraqesë një mocion mosbesimi. Thonë se nuk i ka numrat për të votuar, jam dakord, mund të mos fitojë, por mund të fitojë një gjë, sepse kërkoi largimin e tij", tha Godo.

Interpelanca

Duket se do të jetë interpelanca e kërkuar me kreun e Qeverisë, prej demokratëve që do të përcaktojë hapat e opozitës shqiptare ndaj Nanos. Një ditë më parë, Sali Berisha tha se, Nano duhet të sqarojë pse autokolona e nxënësve nga Kosova nuk është shoqëruar nga policia sipas të gjitha rregullave që ka Kodi Rrugor i Shqipërisë. Interpelanca pritet të zhvillohet brenda dy javëve, pasi, sipas rregullores së Kuvendit është Kryeministri që duhet të përcaktojë një datë për interpelancë, pasi kërkesa të zyrtarizohet në Kuvend.

Meta: Nano nuk mendon për popullin

Ilir Meta ka përfituar nga një takim në Skrapar për të denoncuar veprimin e Nanos në festimet e bëra në buzuqet e Greqisë ditën kur u varrosën 16 nxënësit kosovarë. "Askush nuk mendon për popullin, pasi dhe në ditë zie kombëtare Nano luan kabareve të botës", tha kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë mitingut në qytetin e Çorovodës, ku është deputet prej 4 mandatesh. Ai e ka cilësuar një turp për kombin, një fyerje për popullin, i cili përjetonte një ditë zie, ndërsa Nano bënte aheng në buzuqet e botës. "Këto janë veprime që bëhen duke përbuzur kombin shqiptar nga Nano, siç bëri gjatë tragjedisë së Karaburunit, ku nuk i ndërpreu pushimet kur 21 shqiptarë vdisnin nga të ftohtët", tha Meta. Ndërsa në takime, ai i është kundërpërgjigjur dhe deklaratës së Nanos për angazhimet e qeverisë në këtë zonë. "Jemi këtu për të mbështetur LSI-në, pasi Skrapari ka qenë dhe do të mbetet një bastion socialist, por këtë radhë ka në krye Lëvizjen Socialiste për Integrim. Jemi këtu për të mbështetur mijëra socialistë të tradhtuar, të zhgënjyer dhe të harruar nga buzuqexhinjtë e sotëm të partisë së vjetër, që nuk kanë ndryshuar nga bindjet dhe idealet e tyre", tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›