E Diel, 1 Nëntor 2026

Aprovohet parimisht perdorimi i teknologjise se portes

Ligjvënësit e futbollit kanë aprovuar parimisht përdorimin e teknologjisë në portë. Sipas të gjitha gjasave, risia teknologjike, e cila shërben për të evituar golat fantazmë, do të përdoret për herë të parë në botërorin e klubeve në Japoni, në fundin e këtij viti.

Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të futbollit, IFAB ka bërë të ditur se teknologjitë e dy kompanive, britanikes “Syri i Skifterit” dhe gjermano-danezes “Gjyqtari i Portës”, do ti nënshtrohen testeve të tjera, deri në momentin kur vendimi final të merret në takimin që do të zhvillohet në Kiev, më 2 korrik.

Sekretari i pëgjithshëm i federatës angleze, Aleks Horn, i cili organizoi takimin në jug të Londrës, bëri të ditur se “lajmi I mirë është që në fazën e parë të tesveve, në pjesën më të madhe teknologjia ka treguar se funksionon 100 për qind, ndërsa në disa prej provave ajo ka qenë e saktë në 99 për qind”.

Çështja e teknologjisë së portës ka qenë në axhendën e IFAB-së gjatë gjithë dekadës së fundit. Presidenti i FIFA-s, Sep Blater ka qenë kundër përdorimit të teknologjisë, por ai ndryshoi qëndrim pas golit të paakorduar të Anglisë në Botërorin 2010, në sfidën me Gjermaninë.

Pak kohë përpara ndeshjes Blater kishte deklaruar se më mirë preferonte të vdiste sesa të ndodhte një tjetër episode I tillë në Kupën e Botës dhe me mbështetjen e tij, iu hap rruga përdorimit të teknologjisë.

Një tjetër episod i diskutueshëm, që e bën të nevojshme teknologjinë e portës u regjistrua në supersfidën e përpara një jave në Serinë A, ndërmjet Milanit dhe Juventusit, ndërsa sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Valke bëri të ditur se në Kupën e Botës, Brazil 2014 sistemi për të evituar golat fantazmë do të përdoret në 12 stadiume.

Gjithsesi, mbeten ende disa çështje për t’u zgjidhur, duke nisur nga licensimet, kostot dhe në çfarë nivelesh do të përdoret teknologjia. “Syri i Skifterit” bazohet në pamjet filmike të kamerave dhe aktualisht një system I tillë përdoret në tennis dhe kriket, ndërsa “Gjyqtari i Portës” është një sistem që shfrytëzon fushën magnetike dhe një top special.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›