Frenohen Montpelje dhe Lile

Dy prej skuadrave që luftojnë për titullin kampion në Ligën e parë franceze, Montpelje dhe Lilë janë frenuar në ndeshjet e javës së 26-të të kampionatit. Pa golashënuesin më të mirë të skuadrës, Oliver Zhirud, i cili ishte i pezulluar, dhe fantazistin Belhanda, Montpelje nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në fushën e Dizhonit të vendeve të fundit.
Sulmuesi Gael Kakuta i huazuar nga Çelsi, i dha Dizhonit avantazhin e përkohëshëm 1-0 në minutën e 67-të, ndërsa kryesuesit e Ligës së Parë arritën të barazonin shifrat me Xhonatan Tinhan, kur kishin mbetur vetëm dy minuta nga fundi i kohës së rregullt.
Montpelje vuajti në këtë ndeshje, duke mos krijuar shanse për shënim, ndërsa Dizhoni i vendit të 15-të ishte gjithmonë kërcënues dhe arriti të merrte një pikë mjaft të rëndësishme në luftën për mbijetesën në elitë.
Për pretendentët për titull, Xhon Utaka goditi shtyllën, përpara se Tinham me devijimin e saktë me kokë në të 88-tën të evitonte humbjen. Montpelje ngjitet në kuotën e 54 pikëve, dy më shumë se PSG-ja, megjithatë parizienët e Ançelotit kanë shansin të marrin vendin e parë nëse fitojnë me Ajasion.
Në anën tjetër, kampionët e Lilës, që renditen të tretët, barazuan 2-2 në shtëpi, me Okserin e vendit të parafundit. Vendasit ishin në avantazh 2-0, me golat e Hazard, pavarësisht se në fundin e pjesës së parë skuadra e drejtuar nga Rudi Garsia e pa veten në inferioritet numerik, pas kartonit të kuq të Çeto.
Gjithsesi, Okseri arriti të shënonte dy gola në minutat e fundit. Fillimisht miqtë barazuan me Ben Sahar në të 80-ën, ndërsa vetëm tre minuta më pas Sedrig Hengbart realizoi rrjetën e barazimit që I dha skuadrës së tij një pikë.