E Diel, 1 Nëntor 2026

Klitcko fiton ne 4 raunde

Vladimir Klitçko ka hedhur në tapet sfidantin francez, Zhan-Mark Mormeck pas një kombinimi goditjesh me të majtën dhe të djathtën. Kampionit ukrainas i mjaftuan vetëm 4 raunde për të mbrojtur me sukses titujt e tij botërorë IBF dhe BO, ndërsa mban edhe brezat IBO e WBA në peshat e rënda.
Por, faktet interesante të fitores së 35-vjeçarit, që fitoi pa probleme, janë statistikore. Ai regjistroi fitoren e 50-të me “knock out” nga 57 triumfe të përgjithshme. Këtë e realizoi përballë 55 mijë spektatorëve të pranishëm në Dyseldorf, që tregon se popullariteti i vëllezërve Klitçko mbetet i jashtëzakonshëm.
Ndërkohë, sfida ishte pa shumë histori dhe fundi ishte logjik. Përveç diferencës trupore, në peshë dhe gjatësi, 39-vjeçari Mormek ishte dukshëm inferior ndaj Vladimir Klitçkos për të tentuar surprizën e madhe.
Edhe pse përpara ndeshjes kishte deklaruar se do të synonte të godiste nofullën e dobët të kampionit, gjatë katër raundeve që qëndroi në ring, francezi nuk arriti të realizonte asnjë goditje të denjë. Ai u dorëzua përballë kombinimit të goditjeve të Klitçkos, ndërsa megjithë protestat ndaj gjyqtarit të sfidës, në fund Mormek u dorëzua përballë ëndrrës për të fituar titullin më prestigjioz.
Megjithatë, në fundin e duelit, fjalët më interesante i tha Klitçko më i madh, Vitali, që mban titullin botëror WBA. Ai bëri të ditur se pasi mundi me pikë Derek Çisorën, rivali i ardhshëm do të jetë një tjetër britanik, Devid Haje, që më parë kishte humbur me pikë përballë Vladimir Klitçkos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›