Arabët kërkojnë Çelsin e Liverpulin
Çelsi dhe Liverpuli mund të ndryshojnë pronarë. Dy prej klubeve më të mëdha në Premiership, që në këtë sezon po luftojnë për titullin kampion, kërkohen nga miliarderët arabë. Sulaiman Al Fahim, i cili drejtoi "Abu Dabi United Group" në blerjen e Mançester Sitit, duket se qëndron në krye të një grupi investitorësh gjermanë, që janë të gatshëm të marrin blutë e Londrës. Ata nuk janë tërhequr, pavarësisht zërave se Roman Abramoviç nuk ka ndërmend ta shesë klubin. Të përfaqësuar nga shoqëria zvicerane, "Falkon Ekuiti", grupi i biznesmenëve është i gatshëm të ofrojë 750 milionë sterlina (afro 800 milionë euro), për të bindur manjatin rus që të shesë Çelsin. Nëse do të pranonte, Abramoviç do të përfitonte nga kjo ofertë, pasi në korrikun e vitit 2003 ai mori drejtimin në "Stemford Brixh", duke investuar afro 600 milionë sterlina. Interesim të madh ka nxitur edhe Liverpuli. Sipas "The Guardian", dy bashkëpronarët, Hiks dhe Xhilet, janë të gatshëm të hapin bisedimet me manjatin nga Kuvajti, Naser Al Kharafi. Ky i fundit, që renditet i 48-ti në klasifikimin e njerëzve më të pasur në botë, është i gatshëm të paguajë 600 milionë sterlina (rreth 640 milionë euro) për "Reds" dhe marrëveshja mund të arrihet së afërmi.