E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoze Murinjo, në gjykatë për fjalët e ashpra kundër Interit

Hoze Murinjo përbën gjithmonë lajm. Ashtu si në Angli, edhe në Itali trajneri luzitan "pushton" faqet e para të gazetave. Por, këtë herë ndoshta trajneri i Interit do të kishte preferuar të heshtte. Spekulimet për frazat që ai ka thënë gjatë pushimit të ndeshjes së humbur me Atalantën kanë shkaktuar shumë pakënaqësi në ambientet e klubit, duke filluar nga drejtuesit më të lartë e deri te tifozët. Murinjo duket se ka thënë se "nga tre titujt e fundit të zikaltërve, i pari u fitua në sekretari, i dyti pasi nuk kishte kundërshtarë që mund të luftonin (prej penalizimeve të ‘Calciopolit‘) dhe i treti u arrit vetëm në minutat e fundit. Jeni një skuadër m...". Sapo mësoi që frazat e tij kishin dalë nga dhomat e zhveshjes dhe u bënë publike (gjithmonë nëse tekniku nga Setubali i ka thënë vërtet), Murinjo u ka kërkuar avokatëve të tij që të studiojnë çështjen. Ndërkohë, ka shpërthyer kaosi. Situata e krijuar argëtoi më shumë tifozët e Juventusit. Fakti që një trajner i Interit shan skuadrën e tij, ka sjellë reagime nga më të ndryshmet në forumet në internet. "Murinjo është si ne", shkruanin mbështetësit bardhezinj. Tekniku portugez ka marrë edhe nofkën "Juventinjo". Nuk kishin si të mungonin as polemikat, ironitë dhe fyerjet. Sipas statistikave, në një forum vetëm për tifozët e "Zonjës së Vjetër" janë regjistruar afro njëqindmijë komente në harkun e tri orëve. Koncepti i përgjithshëm i shprehur nga tifozët e Juventusit ishte: "Murinjo ka thënë atë që ne mendojmë prej disa vitesh". Në anën tjetër, tifozët interistë janë zhgënjyer nga këto zëra. Për momentin ata mund të ngushëllohen vetëm me përgënjeshtrimet e klubit dhe të trajnerit. Burime pranë Murinjos kanë bërë të ditur se ai do të flasë për këtë çështje vetëm në gjykatë.

Oferta

Sipas "Gazzetta dello Sport", Mançester Siti i ka rikthyer sytë nga Seria A për përforcimin e skuadrës. Megjithatë, këtë herë anglezët nuk kërkojnë një yll të topit, por një të pankinës. Duket se arabët e "Abu Dabi Group" janë fiksuar me Murinjon dhe po mendojnë seriozisht që të emërojnë teknikun luzitan në "Istlends". Zërat për këtë interesim qarkullojnë prej dy javësh, edhe sepse portugezi nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për t‘u kthyer në Premiership. Nuk duhet harruar as fakti se Murinjo nuk ka arritur të përshtatet plotësisht në Itali. Gjithsesi, lajmi se një delegacion i Sitit do të udhëtojë drejt Milanos për të biseduar me trajnerin, ende nuk është konfirmuar. Me siguri mund të thuhet vetëm se trajneri zikaltër është takuar të enjten me menaxherin e tij, Horge Mendez. Si kandidat për stolin e "Sitizens" shihet edhe Roberto Mançini, ish-trajner i Interit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›