E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni: Kaka te Reali? Kjo nuk do të ndodhë kurrë!

"Kaka, kurrë te Reali". Duket si një përgjigje për shkrimin e djeshëm të sportives spanjolle "As", por ka dalë nga goja e Silvio Berluskonit, presidentit të Milanit dhe njëkohësisht Kryeministrit të Italisë, gjatë një interviste për "Il Resto del Carlino". Berluskoni mbrohet "i bindur, më shumë... i lumtur" për refuzimin e 120 milionëve të Mançester Sitit për Kaka. "Është si të kishim fituar një Champions League tjetër, thotë ai. Jam krenar më shumë se kurrë për Milanin, sepse besoj se vërtetë është skuadra e vetme në botë, në të cilën mund të ndodhin të tilla gjëra". Sipas Berluskonit, brenda topit ka akoma një zemër, prandaj paratë në futboll nuk janë gjithçka. "kur Riki (Kaka) më ka komunikuar vendimin për të qëndruar te Milani, tregon presidenti, kam menduar për babin tim dhe ato shumë të diela me të në stadium, tek ultrasit dhe për entuziazmin e madh që ai më transmeton, entuziazëm i sinqertë i çdo tifozi. Mendova se babai im do të ishte krenar për këtë Milan, për një skuadër në të cilën rriten kampionë si Kaka". Por për sa u përket baballarëve, Berluskoni trembet se mos ai i Kakasë sjell në shtëpi një tjetër ofertë më të mirë. "Ajo që e bën të mrekullueshme zgjedhjen e Kaka, përgjigjet presidenti, është pikërisht fakti se e dinte mirë që Milani nuk mund t‘ia rriste rrogën. Bilancet nuk e lejojnë dhe një rritje e mundshme për Kaka do të na detyronte të rrisnim të gjitha rrogat. Kaka vendosi të rrinte me ne, por pa i ngritur rrogën në vitet e ardhshme". Po nëse Reali do ta kërkonte sërish? "Kaka dhe Milani i kanë dhënë një përgjigje në të kaluarën Realit të Madridit, nënvizon presidenti me të cilin kuqezinjtë kanë fituar 17 tituj. Nuk shikoj ndonjë arsye për të ndryshuar këtë qëndrim". Po sheiku i Sitit si e priti "Jo"-në e Kakasë? A ka komunikuar Berluskoni? "Pronari i ri i Sitit, përgjigjet padroni i Milanit, po bën një punë të mirë dhe shumë investime për të ndërtuar një skuadër të madhe. Ne e lamë të lirë Kakanë të vendosë vetë për të ardhmen dhe nëse Kaka do të kishte thënë se e ardhmja e tij mund të përmbushej më mirë të Mançester Siti, do ta kishim respektuar. Por nuk mund të jem ndryshe veç se i lumtur për vendimin e tij. Po të ishte në vendin tim, besoj se edhe sheiku do të bënte të njëjtën gjë. Raportet që na lidhin, janë të mrekullueshme".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›