E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arabët, kundër politikave amerikane në Lindjen e Mesme

Anketa Konflikti palestinezo-izraelit dhe lufta në Irak mbeten çështjet më zhgënjyese

Shumica e arabëve, sipas një ankete të re, nuk i miratojnë politikat e Presidentit Barak Obama dhe kundërshtojnë politikat amerikane për Lindjen e Mesme. Rezultatet gjithashtu tregojnë që arabët mendojnë se Irani po përpiqet të sigurojë armë të shkatërrimit në masë, por që ka të drejtë të zhvillojë programin e tij bërthamor. Anketa, e zhvilluar nga Universiteti i Merilendit dhe organizata “Zogby International”, mbledh të dhëna për mendimin e publikut për çështjet që kanë të bëjnë me arabët dhe Lindjen e Mesme. Në vitet e fundit, ajo është zhvilluar çdo vit në Egjipt, Jordani, Liban, Marok, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por rezultatet i jep në tërësi për të gjitha vendet. Ndonëse qëndrimi i arabëve ndaj Shteteve të Bashkuara mbetet i pafavorshëm, 20 për qind e të anketuarve cilësuan qëndrimin amerikan ndaj islamit si politikën me të cilën janë më të kënaqur.

Vitin e kaluar, përkrahja e Presidentit Obama ishte e lartë, ndërsa arabët kishin shpresë për politikat e tij ndaj Lindjes së Mesme. Mirëpo sivjet, gati dy të tretat thanë se janë të pakënaqur me Presidentin. Të gjitha anketat vitet e fundit tregojnë se arabët duan që forcat amerikane të largohen nga Iraku. Konflikti palestinezo-izraelit mbetet çështja më zhgënjyese për arabët. Shumica thanë se do të pranonin një zgjidhje me dy shtete të mbështetur në kufijtë e para luftës arabo-izraelite të vitit 1967. Megjithatë, shumë syresh mendojnë se Izraeli nuk do ta pranojë këtë. Shumica e të anketuarve vazhdojnë të besojnë se Irani po përpiqet të sigurojë armë të shkatërrimit në masë. Por tani arabët besojnë se Irani ka të drejtë të zhvillojë programin e vet bërthamor dhe nuk duhet t’i bëhet trysni që ta ndërpresë atë. Më shumë se gjysma thonë se pajisja e Iranit me armë bërthamore do të ishte pozitive për Lindjen e Mesme.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›