Medvedev viziton Abkazinë në dyvjetorin e luftës
Në përvjetorin e dytë të luftës së Kaukazit, Presidenti rus, Dimtri Medvedev, vizitoi papritur provincën separatiste gjeorgjiane, Abkazi. Medvedev u takua në Suhumi me presidentin e provincës, Sergej Bagapsh. Presidenti rus siguroi mbështetjen e mëtejshme të vendit të tij për rajonin në jug të Kaukazit. Qeveria gjeorgjiane reagoi me zemërim ndaj vizitës së Medvedevit. Zëvendëspresidenti Temur Jakobashvili tha për agjencinë e lajmeve AFP, se Medvedev bën mirë të merret me katastrofën e zjarreve në vendin e tij. Se vizita e Medvedevit synon të largojë vëmendjen e opinionit nga problemet e brendshme me zjarret. Vizita e Medvedevit nuk ndryshon asgjë në Kaukaz, tha Temur Jakobashvili. Vizita e paparalajmëruar e Presidentit rus në rajonin e Abkazisë bëhet në dyvjetorin e luftës ruso-gjeorgjiane. Burimet ruse raportojnë se Medvedev ka premtuar vendosjen e raporteve të gjithanshme politike, ekonomike dhe në fushën e sigurisë me Abkazinë. Shefi i Kremlinit është takuar me udhëheqësin rebel të Abkazisë, Sergei Bagapsh. Në gusht të vitit 2008, Gjeorgjia pati nisur një ofensivë për të vënë në kontroll rajonin tjetër separatist Osetinë Jugore. Trupat ruse ndërhynë dhe avancuan deri në Gjeorgji. Rusia e ka njohur pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme nga Abkazia dhe Osetia Jugore. Konflikti nisi në 7 gushtin e vitit 2008 kur Gjeorgjia nisi sulmet në Osetinë e Jugut në përpjekje për të marrë kontrollin e asaj që e quante krahinën e saj. Disa muaj më parë ishin regjistruar një sërë përplasjesh mes dy vendeve. Shumë shpejt rusët iu kundërpërgjigjën me zjarr sulmit të fqinjëve, madje arritën të hynin në rajonin e Gjeorgjisë. Konflikti zgjati pesë ditë dhe ndaloi pas një marrëveshjeje armëpushimi. Rusia u tërhoq, duke lënë prezencën e saj ushtarake në Osetinë e Jugut dhe Abkazi.
#