AKKP: 45 ditë verifikime dosjeve për kompensim financiar
Nuk ka të mbaruar shtyrja e afateve për kompensimin e pronarëve, tokat e të cilëve nuk mund të kthehen, pasi janë zënë nga ndërtimet pa leje, por që mund të marrin dëmshpërblim. Drejtues të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave sqarojnë edhe një herë se data 11 gusht është afati i fundit për të aplikuar në zyrat e AKKP-së në Tiranë për pronarët e trojeve që janë të zëna nga ndërtimet pa leje. Mësohet se janë gjithsej rreth 10 milionë dollarë, të krijuar nga procesi i legalizimeve. Sipas drejtuesve të AKKP-së, pas përfundimit të afatit, 11 gusht, do të nisë faza e verifikimit të dosjeve të aplikimit, proces që do të zgjasë për 45 ditë, por që administrata e pronave do të bëjë përpjekje për ta shkurtuar në kohë.
Deri tani janë bërë përllogaritjet dhe rreth 2300 përfituesit e listës do të marrin këstin e parë në masën 10 milionë dollarë, që përkon me 21.8 për qind të shumës që ata duhet të përfitojnë si kompensim. Verifikimi i dokumenteve për aplikantët do të ketë si objekt gjeneralitetin e tyre. Njëkohësisht, do të verifikohen të dhënat e tjera të nevojshme pranë institucioneve përkatëse dhe më pas do të hartohet relacioni.
Deri tani, kur kanë mbetur edhe pak ditë nga skadimi i afatit, AKKP pranon se numri i aplikimeve ka qenë i vogël, madje sa 15 për qind i gjithë totalit. Sipas Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, numri i vogël i aplikimeve vjen për shkak të konflikteve të pronës që kanë individët me njëri-tjetrin si dhe proceset e gjata gjyqësore.
Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronës është kthyer në sfidë për qeverinë shqiptare, e cila mundohet të krijojë fonde të mjaftueshme për të përballuar koston e madhe për dëmshpërblimin e ish-pronarëve. Këta të fundit shprehen të pakënaqur mbi mënyrën sesi po ecën procesi, duke deklaruar se fondet e vëna në dispozicion nga qeveria janë tepër modeste, në raport me faturën që llogaritet të jetë rreth 3.5 miliardë dollarë.
#