E Shtunë, 31 Tetor 2026

E sëmura mendore, shpëtimi i vetëm vargonjtë

Historia e Armendës dhe familjarëve të saj që përpiqen të “ndalojnë” agresivitetin e vajzës

Të lidhur me zinxhirë dhe të izoluar. Ky vazhdon të jetë fati i shumë prej atyre që vuajnë nga shëndeti mendor dhe nga një shoqëri që i lë në harresë. Armenda vazhdon të ngelet nën zinxhirët që mbajnë të kontrolluar agresionin që shfaq herë pas here. Shoqëria jonë nuk i ka mundësitë për t’i ofruar asaj dhe shumë të tjerëve që jetojnë në të njëjtat kushte mundësitë e një trajtimi të specializuar. Që nga fundi i tetorit, kur rasti i Armendës u bë publik në organet e “Top Medias” dhe deri më sot, asgjë nuk ka ndryshuar, përpos faktit se familja e saj shpreson që përgjatë këtij viti të mund të përfitojë mbështetjen financiare të kujdestarisë për të. Një shumë prej 8700 lekësh në muaj. 22-vjeçarja nga fshati Rreth Greth i Kavajës vazhdon të qëndrojë e lidhur herë pas here me zinxhirët që i tringëllijnë sa herë lëviz kokën, buzëqesh a ulëret në vuajtjen e saj.
Teksa kontaktojmë me babanë e saj, Spiro Tani, gazeta “Shqip” merr falënderimin për trajtimin e rastit në mënyrë të vazhdueshme dhe moslënien në harresë. Edhe pas publikimit të lajmit të parë, ne përcollëm reagimin e familjes për indiferentizmin e plotë që shoqëroi. Ndjekja e rastit i dha frytet e veta. Mjekët u dukën në fshatin e Armendës, konstatuan gjendjen e saj dhe ranë dakord se pacientja kishte nevojë për trajtim e meqë në vendin tonë ajo që ofrohet nga institucionet lë për të dëshiruar, vendosën të paktën të japin paraprakisht miratimin për mbështetjen që kërkon e reja, duke ftuar të ëmën të përgatisë dokumentacionin për asistencën e kujdestarisë së saj, që ende familja nuk ka nisur ta marrë.
“Armenda shpesh është shumë agresive ndaj vetes dhe të tjerëve, prandaj ndonjëherë detyrohemi ta mbajmë ashtu edhe pse na dhemb në shpirt. Ja, për shembull, gjatë të gjithë natës së kaluar ishte e acaruar. Nga shteti kërkoj mbajtjen e saj diku ku ta trajtojnë për problemin që ka”, thotë Tani. Vjeshtën e kaluar u shfaqën shumë raste të rënda të personave me probleme të shëndetit mendor që mbaheshin të lidhur me zinxhirë nga familjarë të tyre për të shmangur agresivitetin dhe pasojat e tij te vetja dhe të tjerët. Ndonëse ky trajtim është një cenim i hapur i Kushtetutës dhe të drejtave të njeriut, është fakt që shoqëria shqiptare nuk mund të ofrojë aktualisht dhe për fat të keq më shumë se kaq për trajtimin e tyre, bazuar edhe në morinë e rasteve të fenomenit të zinxhirlidhjes. Armenda është po aty, si edhe të tjerët. Në të njëjtat kushte. Me të njëjtat probleme që ka dhe shkakton. Familjarët i izolojnë ose i lidhin me zinxhirët famëkëqij të detyruar. Nuk e duan këtë, por ndodh.
Që në moshën 7–8-vjeçare shfaqi shenjat e para të agresivitetit dhe dhjetë vjet më vonë familja vuri nën frerë pasojat e çrregullimit të saj mendor. Me një zinxhir që ende tringëllin. Në të njëjtat kushte izolimi vazhdon të qëndrojë edhe një tjetër person, banor i fshatit Domaj të së njëjtës komunë, asaj Kryevidh në Kavajë. Prej 15 vjetësh familjarët mbajnë të izoluar 40-vjeçarin Pëllumb Elmadhi, baba i dy fëmijëve. Ai ka shfaqur probleme të shëndetit mendor që prej dy dekadash, të cilat nisën me keqtrajtimin e tij në Greqi kur ishte emigrant dhe u rënduan pas vdekjes së babait të tij. Nuk është i aftë për t’u bërë as prindër as bashkëshort. Familja e tij dhe ai vetë e mbajnë frymën me një ndihmë sociale tepër të ulët, që nuk i mundëson Pëllumbit as blerjen e ndonjë qetësuesi. Këta persona mbahen në kushte aspak njerëzore nga familjarët, për shkak të rrethanave të jetës dhe pamundësisë, por edhe paaftësisë për t’i trajtuar ndryshe, ndërsa shteti hesht. I pafuqishëm për të ndërhyrë për këtë kategori qeniesh njerëzore që mbahen të lidhur me zinxhirë e ndonjëherë përdoren për të trembur ëndrrat e fëmijëve në komunitetin ku jetojnë të harruar.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›