E Shtunë, 31 Tetor 2026

Johnny Depp inauguron festivalin e Kosturicës

Festivali
28 filma nga 18 shtete në garë për “Vezën e Artë të Kustendorfit”

Aktori amerikan, Johnny Depp, ka inauguruar në Drvengrad, Serbi, edicionin e tretë të Kustendorf Film Festival, festivalin ndërkombëtar të kinemasë dhe muzikës, organizuar nga regjisori serb, Emir Kusturica. Përpara një turme me fansa e admirues, gjatë ceremonisë së çeljes së festivalit, Depp ka inauguruar edhe një statujë me dimensione natyrale, e cila i kushtohej pikërisht atij. Natyrisht që gjatë inaugurimit nuk ka munguar as regjisori i madh serb, Kusturica, me të cilin Johnny Depp do të xhirojë një film që i kushtohet revolucionarit meksikan, Pancho Villa. Emir Kusturica ka ndërtuar pikërisht për këtë festival vendin e quajtur Drvengrad (qytet i drunjtë), një fshat i vogël jo shumë larg kufirit me Bosnjën. Festivali, (Kustendorf është një term i shpikur nga vetë Kusturica duke marrë për bazë pjesën e parë të emrit të tij dhe fjalën gjermane dorf, që do të thotë fshat) veç të tjerave prezanton para publikut artistë e regjisorë të rinj. Gjatë ditëve të këtij festivali që është çelur në datën 13 janar pak para mesnatës do të konkurrojnë 28 filma nga 18 vende. Fituesi i cili do të shpallet më 19 janar do të çojë në shtëpi çmimin “Veza e Artë e Festivalit”. Aktori amerikan, Johnny Deep, i cili do të qëndrojë për tri ditë në Drvengrad do të mbajë seminare për të pranishmit, si dhe do të ndjekë filmat pjesëmarrë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›