E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arabët



Në një limuzinë në shkretëtirë ishin Regani, Gorbaçovi dhe Enver Hoxha. Makinën po e ndiqte një fis arabësh me kuaj. Në rrugë e sipër thotë Regani: Më jepni një copë letër e një stilolaps se e zgjidh unë këtë punë. Merr Regani letrën dhe fillon e shkruan: “Do t’u jap dollarë, sa të doni kërkoni vetëm mos na ndiqni më tej”.
E hap dritaren dhe e hedh letrën. Kryetari i fisit e lexon letrën dhe e gris duke u dhënë urdhër arabëve që të vazhdonin të ndiqnin makinën.
-Më jepni mua letër dhe stilolaps, do t’i bëj që të ndalen arabët. – thotë Gorbaçovi.
Ai shkruan në letër: “Do t’u jap armë dhe tokë nga Rusia nëse do të ndaloni”
Arabët edhe pas kësaj letre prapë vazhdojnë ta ndjekin makinën.
-Më jepni dhe mua një letër e një stilolaps. -hidhet Enveri.
Regani me Gorbaçovin u shkrinë së qeshuri. “Kur nuk ia dolëm dot ne, do i ndalojë ky...” –thanë me vete. Por për çudi, kryetari i fisit sa lexoi letrën e Enverit dha urdhër që të ktheheshin mbrapa të gjithë arabët.
-Çfarë i ofrove arabëve që i binde të mos na ndjekin më? – pyesin Regani me Gorbaçovin.
-U thashë, që po të na ndiqnin, do të ngrija kooperativat edhe në Arabi...

5 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›