E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arabia Saudite, rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës

 

Arabia Saudite po lobon shumë fort në vendet e tjera të Konferencës Islamike për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, duke propozuar një rezolutë që u kërkon të gjitha vendeve anëtare ta njohin Kosovën si shtet. Në një samit që po zhvillohet në nivel ministror në Damask, Arabia Saudite në fjalimin e hapjes u ka kërkuar 57 vendeve anëtare që të ndihmojnë vëllezërit e tyre myslimanë, duke u ofruar njohjen e merituar të Pavarësisë së shpallur më shumë se një vit më parë. Lëvizja ka alarmuar klasën politike serbe, të cilët kanë dërguar dy ditë më parë në Damask Mministrin e Jashtëm, Vuk Jeremiç, për takime e telefonata me përfaqësues të vendeve që Serbia mendon se përputhen me interesat e saj. Agjencia serbe e lajmeve ka njoftuar se aleatët serbë në konferencën islamike po propozojnë amendamente që evitojnë fjalën Pavarësi në rezolutën e paraqitur nga vendi më i fuqishëm i Konferencës Islamike, Arabi saudite, e cila pak javë më parë e njohu zyrtarisht Pavarësinë e Kosovës. Edhe nëse rezoluta nuk miratohet, ajo paraqet një hap të rëndësishëm për ndërgjegjësimin ndërkombëtar mbi Pavarësinë e Kosovës. Mediat në Kosovë kujtojnë se Serbia ka shkatërruar trashëgiminë islame në Kosovë, ka djegur më shumë se 500 xhami, përfshirë edhe pjesë me vlerë madhështore të arkitekturës islame, ka vrarë dhjetëra imamë dhe ka shkatërruar disa nga vendet e shenjta islame në Kosovë. Vendet ku qëndronin më parë xhamitë janë shkarravitur me grafite të turpshme gjatë luftës së viteve ‘98-‘99. Rezoluta e paraqitur nga Arabia Saudite në Samitin ministror të vendeve të Organizatës Islamike është kërkuar të ndryshojë nga disa vende anëtare. Versioni i fundit i saj nuk është bërë ende publik. Siria dhe Egjipti kanë shprehur kundërshtim të qartë ndaj amendamenteve fillestare të unionit islamik, por ajo që po ndodh konsiderohet shumë e rëndësishme për Kosovën, pasi i hap udhë vendeve që të bëjnë edhe njohje individuale të pavarësisë në varësi të interesave kombëtare. Pritet që pas zhvillimeve të fundit, si rezultat i lotimit për Pavarësinë e Kosovës nga aleatët e saj, në listën e vendeve që e kanë njohur Pavarësinë të shtohen edhe 19 emra të tjerë në javët në vijim. Që pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova është njohur si shtet sovran nga 13 vende islamike. Gjatë votimit, vende si Siria, Egjipti dhe Azerbajxhani kanë propozuar disa amendamente shtesë, të cilat do të rishqyrtohen në fund të takimit në Damask. Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni ka udhëtuar për në Nju Jork, për t’u takuar me disa ambasadorë nga vende të kontinenteve të ndryshme, që nuk e kanë njohur ende Pavarësinë e Kosovës. Qëllimi i këtyre takimeve është vazhdimi i lobimit për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Hyseni do të takohet me rreth 30 përfaqësues në misionet diplomatike, të akredituar në zyrat qendrore të OKB-së në Nju Jork. Ministri Hyseni do të kërkojë përshpejtimin e procedurave të njohjes së pavarësisë te vendet që kanë shprehur dëshirën për shqyrtimin e këtij opsioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›