E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi, 3.5% e vajzave shtatzëna që në gjimnaz

 

ZIRINA LLAMBRO

Shtatzënë që në gjimnaz. Nuk bëhet fjalë për ato vajza të cilat vendosin kaq herët të krijojnë familje, por për një tjetër grup. Janë rreth 3.5% e adoleshenteve në shkollat e mesme, të cilat pohojnë se kanë mbetur shtatzënë e më pas kanë abortuar. Të dhënat vijnë nga Instituti i Shëndetit Publik. Në studimin e kryer nga rreth 4000 nxënës, të zgjedhur në mënyrë rastësore, shifrat flasin vetë. Në 100 vajza, 3 kanë përjetuar shtatzëninë e kjo rrjedhojë e një marrëdhënie të pambrojtur seksuale. Ndonëse të zgjedhin u ka kushtuar jo pak, kanë pohuar se aborti ka qenë gati i kushtëzuar për to. Sipas studimit, një në tetë  gjimnazistë ka një jetë seksuale aktive, që shpesh nis që në vitin e parë të shkollës se mesme. Tashmë tabutë u lihen prindërve. Me njëri-tjetrin gjithçka pranohet hapur. Lidhjet, raportet e madje edhe ndarjet nga disa të dashur gjatë shkollës. Ato që mbahen fshehur janë vetëm shtatzënitë. Për vetë faktin se janë të padëshiruara. Adoleshentet pranojnë se as nuk e kanë çuar ndërmend se mund të sjellin në jetë një fëmijë në këtë moshë. Ndërsa për aq sa ka ndodhur, fajin ua hedhin partnerëve. Sipas tyre, janë ata që nuk kanë dashur të kenë një marrëdhënie të mbrojtur, ato thjesht u janë bindur. E në fakt kjo mendësi ekziston rëndom jo vetëm në gjimnaz por edhe më tej. Femrat shqiptare vijojnë t’u lënë në dorë meshkujve zgjedhjen nëse duhet të kryejnë marrëdhënie seksuale të mbrojtura apo jo. Praktikisht për aq kohë sa ato vetë vuajnë pasojat, veton për çka ndodh me trupin e tyre duhet ta vendosin vetë.
Sëmundjet
Një tjetër problem shqetësues mbetet mungesa e informacionit për dhjetëra sëmundje seksualisht të transmetueshme. Mjekët pohojnë se të rinjtë nuk ua vënë veshin këtyre problemeve që mund t’u kushtojnë shtrenjtë për shëndetin e për marrëdhëniet që kanë. “Rinia sot e di se kush janë sëmundjet seksualisht të transmetueshme, por me një lloj papërgjegjshmërie nuk merr asnjë lloj mase. Ka sëmundje që nuk janë shumë të dukshme, por që janë shumë të rëndësishme për shëndetin riprodhues. Ato janë ndër shkaqet kryesore të sterilitetit te gratë e reja”, shprehet mjekja obestër gjinekologe, Rubena Moisiu, njëkohësisht dhe Drejtoreshë e Maternitetit “Koço Gliozheni”. Ajo shton se mbrojtja më e  mbrojtja më e thjeshtë prej këtyre infeksioneve është përdorimi i prezervativit. Vetëm duke përdorur atë, të rinjtë i shpëtojnë njëkohësisht dy të “këqijave”: Shtatzënisë së padëshiruar dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. “Por kam përshtypjen se shqiptarët e pranojnë me shumë vështirësi në mentalitetin e tyre përdorimin e këtij mjeti mbrojtës. Veç kësaj, meshkujt pranojnë me vështirësi faktin se mund të preken nga një infeksion seksualisht i transmetueshëm”, shprehet Moisoi. Ajo pohon se gjatë punës së përditshme hasen raste kur i jepet mjekim femrave për partnerët dhe ato thonë se ata nuk pranojnë ta marrin,  “jo, pasi për ta simptomat janë të padukshme e nuk pranojnë se janë infektuar”, sqaron Moisiu. Edhe specialistë të tjerë të fushës pranojnë se duhet bërë më shumë për të ndërgjegjësuar të rinjtë shqiptarë, qoftë për të pasur një marrëdhënie të mbrojtur, qoftë për të njohur e përdorur metodat e planifikimit familjar. Sipas tyre, vetëm kështu ata do të mund të gëzojnë një harmoni më të madhe e do të kenë më pak pasoja.

Seksi në gjimnaz, e pranojnë 1/5 e nxënësve

Rreth 1/5 e gjimnazistëve, pjesë studimit të ISHP, kanë pranuar se kanë kryer marrëdhënie seksuale gjatë viteve të gjimnazit. Numri i meshkujve që e pohojnë një gjë të tillë është 4 herë më i madh se ai i femrave. Marrëdhënia seksuale në moshë të vogël mund të lërë pasoja të shumta në shëndet, sidomos te femrat. Ato mund të përjetojnë një shtatzëni të padëshiruar, që në shumicën e rasteve i çon drejt abortit me pasoja deri në sterilitetin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›