E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, paratë kërkohen në Qipro

 

Fatos Mahmutaj

Kryeprokurorja Ina Rama ka firmosur kërkesën që grupi hetimor i çështjes “Gërdeci” ka nisur fundvitin e kaluar në Qipro, për të kërkuar informacione për pasuritë e 4 të pandehurve kryesorë në këtë çështjeje. Ata mendohej se kishin fshehur pasuri në këtë vend, ku janë kryer transferta nga firma “Evdin”. “Në rast nevoje, duke përdorur të gjitha mënyrat: kërkesa, kontrolle apo sekuestro të mund të posedoni dhe të na transmetoni kopje të dokumenteve që evidentojnë pasuritë e paluajtshme, nëse ekzistojnë të tilla që zotërojnë Delijorgji, Minxolli, Pinari dhe Mediu”, thuhet në kërkesë. Ish-kreu i MEICO, Ylli Pinari e kishte futur firmën “Evdin” me qendër në Qipro, si ndërmjetëse me firmën amerikane AEY, për t’i dyfishuar çmimin këtyre të fundit, nga 22 USD për 1000 fishekë, në 40 USD që i shiteshin palës amerikane. Edhe pse më pas paguhej me 40 dollarë për 1 mijë fishekë nga amerikanët, për llogari të shtetit shqiptar arkëtoheshin 20 dollarë ndërsa pjesa tjetër, teprica të zhdukej mes njerëzve që kishin futur në këtë biznes. Në kohën kur presidenti i AEY, Efraim Diveroli kërkoi largimin e firmës me seli në Qipro, Pinari në një takim me të, në prani të Delijorgjit dhe një personi tjetër i orientoi biznesmenin dropullit dhe kompaninë “Alba Demil” për ta zëvendësuar “Evdin”-in. “Në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për këtë çështje ndaj Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit, Dritan Minxollit, dhe Fatmir Mediut, ka rezultuar se: Në të dyja kontratat e lidhura me shoqëritë amerikane AEY inc dhe SAC inc, ndërmarrja MEICO ka kërkuar dhe mundësuar të përfshijë gjithmonë shoqëri të treta, nëpërmjet të cilave duhet të bëheshin transaksionet dhe likuidoheshin vlerat e detyrimeve të kontratave. Në të dyja rastet, përfshihen si Delijorgji, ashtu dhe Henrich Thomet, si administratorë të shoqërive të tyre, respektivisht “Alba Demil” dhe “Evdin”. Prokuroria pohon se në mjaft raste, kontaktet lidhur me kontratën që Pinari kishte me shoqërinë amerikane AEY për shitje fishekësh luftarakë, mbaheshin edhe me shtetasin nga Bosnjë-Hercegovina, të quajtur Adnan Sarajlic, si përfaqësues i “Evdin” me seli në Lamaca, Qipro. Ndërkohë ka rezultuar se Delijorgji ka llogari dhe ka kryer transaksione me emrin Michail Deligjorgis, nga bankat greke. Po kështu Diveroli, që ka kryer transaksione me “Evdin” ka një llogari bankare të përbashkët me boshnjakun Dejan Djuriç, si dhe banka nëpërmjet së cilës “Evdin” ka bërë transaksione me MEICO është “Marfin Popular Bank Public Co LTD Nicosia (Lefkosia) CY”. Bankat korrespondente për të mundësuar kryerjen e transfertave nga ky numër llogarie janë “Deutche Bank Trust Americas New York” dhe “JPMorgan Chase Bank, N.A.”. Hetimet e kryera hedhin dyshime se në të dyja kontratat e lidhura nga ndërmarrja MEICO me shoqëritë amerikane AEY dhe SAC, futja si ndërmjetëse e kompanisë “of shore”, “Evdin” me seli në Lamaca, Qipro, me administrator zviceranin Thomet apo shoqërisë “Alba Demil” me administrator Delijorgjin është bërë për qëllime korruptive dhe një pjesë e shumës që teorikisht duhet ta përfitojë shoqëria “Evdin” apo “Alba Demil”, duhet të jetë transferuar për pastrimin e parave nëpër llogari të tjera që i përkasin shtetasve që janë përfshirë dhe kanë mundësuar këtë biznes”, përfundon prokuroria.

Personat në hetim

Fatmir Mediu
atësia Ali, amësia NAxhie, i dalëlindjes 21.01.1967 (1966) lindur në Durrës, Shqipëri dhe banuese në Tiranë me shtetësi shqiptare.
Ylli Pinari
atësia Ramazan, amësia Sultane, i datëlindjes 27.02.1953, lindur dhe banues në Tiranë, Shqipëri me shtetësi shqiptare.
Mihal Delijorgji
ose me emrin Michail Deligjorgis, atësia Pandeli, amësia Kleoniqi, i datëlindjes 09.08.1966, lindur në Gjirokastër, banues në Tiranë Shqipëri me shtetësi shqiptare.
Adnan Sarajliç
i datëlindjes 31 mars 1965, pasaportë numër 3590033, lëshuar në datë 14 shkurt 2003 në Bosnjë-Hercegovinë.
Dejan Djuriç
i datëlindjes 15 mars 1981, pasaportë numër 5540479, lëshuar më datë 28 gusht 2007, në Bosnjë-Hercegovinë lindur dhe banues po aty.

Kolegji Penal shpalli moskompetencën e gjyqit
Gërdeci, dosja transferohet nga Gjykata e Lartë në shkallën e I
TIRANE – Aktet e dosjes penale për tragjedinë e Gërdecit, pritet të transferohen nga Gjykata e Lartë në Gjykatën e Tiranës. Pak ditë më parë, Gjykata e Lartë deklaroi se do të gjykojë vetëm ish-ministrin e Mbrojtjes Mediu, duke shpallur moskompetencën e saj për gjykimin e 27 personave të tjerë të pandehur dhe kompaninë “Albademil” të akuzuar si person juridik. Kjo procedurë parashikon se dosja tanimë duhet të fotokopjohet e tëra, në mënyrë që një kopje e saj të mbahet në Gjykatën e Lartë, kurse kopja tjetër të dërgohet në Gjykatën e Tiranës. Më 13 mars 2008, Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi në sekretarinë e Gjykatës së Lartë rreth 80 mijë faqe me dokumentet e dosjes “Gërdeci”. Numri i madh i të pandehurve, dëshmitarëve dhe veprimeve hetimore që u realizuan për zbardhjen e ngjarjes, si dhe shkresat e shumta të sekuestruara dhe të administruara në dosje, u bënë shkak që fashikulli i hetimit të arrinte një rekord sa i përket volumit të materialit.

Për “Gërdecin”
Avokatja e viktimave, padi në Kushtetuese 
TIRANE – Avokatja e familjeve të viktimave të Gërdecit ka deklaruar se do ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese, vendimin e Gjykatës së Lartë për ndarjen e procesit në dy pjesë, për gjykimin e ish-ministrit Mediu ndarazi nga të tjerët. Sipas avokates së familjarëve të viktimave, tre anëtarë të Kolegjit Penal dhe ndau dosjen në dy pjesë, kanë marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes në shkelje të ligjeve dhe parimeve kushtetuese, pasi ishin në konflikt interesi ndërsa kishin shqyrtuar edhe më parë kërkesa që kanë të bëjnë me çështjen “Gërdeci”. Ligji parashikon se gjyqtarët duhet të japin dorëheqje apo të mos përfshihen në short në trupat gjykuese që marrin në shqyrtim çështje për të cilat ata kanë dhënë vendime më parë apo që kanë si të pandehur persona me lidhje familjare a fisnore. Për Besnik Imerajn, njërin nga gjyqtarët që ndau dosjen “Gërdeci”, prokuroria dhe avokatët e të dëmtuarve, janë shprehur se vajza e tij ka punuar në studion ligjore që mbron Mihal Delijorgjin në këtë proces. Që në seancën e parë të procesit për tragjedinë, prokuroria kërkoi përjashtimin e tre gjyqtarëve, përfshi Imerajn dhe dy të tjerë të cilët kishin shqyrtuar kërkesat paraprake të dosjes “Gërdeci” para dërgimit të saj për shqyrtim. Kërkesa e Prokurorisë nuk u pranua nga gjykata, e cila krijoi një kolegj tjetër për vlerësimin e konfliktit të interesit të 5-shes gjykuese dhe më pas rrëzoi kërkesën e bërë nga organi i akuzës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›