Lumi Devoll përpin nënë e bijë
ELBASAN/ ALDO KOZARIA
Lumi Devoll përpin në ujërat e tij nënën dhe të bijën e saj 8 vjeçe. I vetmi që mbijetoi ishte djali i vogël 3-vjeçar, i cili u shpëtua brenda pak sekondash nga një banor i zonës.
Tragjedia ndodhi në fshatin Dushk të komunës Gostimë në Elbasan, ndërsa Selime Çapja, me vajzën Xhorxhina dhe të birin Antonio tentonin të kalonin urën për të shkuar te gjyshërit. Mungesa e një ure për të lidhur fshatrat mes tyre ka qenë burim i ngjarjes së rëndë, e cila ishte paralajmëruar prej kohësh prej banorëve që kalonin përditë lumin.
Ngjarja
Selime dhe Xhorxhina Çapja bashkë me djalin e vogël Antonion ishin nisur që herët në mëngjes, rreth orës 07:00 për tek gjyshërit. Ata ishin nisur nga fshati i tyre Grekan për në fshatin Mollas, rreth 10 km nga shtëpia e tyre. Rreth orës 08:00 të mëngjesit nëna 45-vjeçare bashkë me dy fëmijët kanë mbërritur në bregun e lumit. Aty kanë pritur që të vijë Bardhyl Mançi, i cili njihet si karrocieri që i transporton me kalë banorët e kësaj zone. Ai nuk ndodhej në vend, çka ka bërë që gruaja të vendoste për të kapërcyer lumin në këmbë, bashkë me fëmijët, pa marrë parasysh rrezikun. Nëna ka marrë djalin në krah, ndërsa vajzën e mbante për dore. Të tre mundën të kalonin rreth 25 metra në lumë. Kur kanë shkuar në afërsi të gjysmës së tij, tregojnë dëshmitarët, ata kanë rënë në një gropë të krijuar nga prurjet e shumta të lumit. Të tre janë fundosur, duke lëshuar thirrjet për ndihmë. I pari që ka parë skenën dhe është munduar që t’i shpëtojë ishte Azem Mekshi, 55 vjeç, i cili në ato momente po kulloste bagëtitë. Menjëherë është futur në lumë për t’i dhënë ndihmë nënës me dy fëmijët, por nuk ka mundur dot t’i kapë ato veç djalit 3-vjeçar, ndërsa rrjedhja po i largonte me shpejtësi nga vendi ku ata u fundosën. Bariu e ka nxjerrë nga lumi Antonion, por kur është kthyer për të gjetur Selimen dhe Xhorxhinën nuk i ka parë më. Përpjekja e Mekshit ka dështuar, pasi trupat e pajetë të nënë e bijë ishin larguar qindra metra tutje. Me shpejtësi janë mbledhur aty dhjetëra banorë të zonës, për të ndihmuar familjen Çapja në këtë tragjedi.
Kërkimet
Pas afro gjysmë ore në vendngjarje ka mbërritur policia dhe grupi hetimor, të cilët menjëherë me ndihmën e banorëve kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupave të 45-vjeçares Selime dhe Xhorxhinës 8-vjeçare. Rreth dy orë pas tragjedisë, rreth 4 km larg zonës ku ndodhi mbytja u gjet trupi i nënës. Disa shkurre buzë rrjedhës së lumit Devoll kishin penguar zhdukjen e saj në ujë. Banorët e zonës, së bashku me policinë e kanë transportuar trupin e pajetë të 45-vjeçares pranë spitalit të Cërrikut, ndërsa më pas kanë vijuar përpjekjet për të gjetur vajzën 8-vjeçare Xhorxhina e cila vazhdon të jetë ende e zhdukur në rrjedhën e lumit Devoll. Kërkimet u ndërprenë mbrëmë, kur ra errësira dhe pritet që të vazhdojnë mëngjesin e sotëm, duke u shtrirë deri në Seman, aty ku Devolli bashkohet me lumin Osum për t’u derdhur më pas në rrjedhën e Semanit me destinacion detin Adriatik. Në kërkimet pritet të bashkohet dhe burri dhe babai i viktimave, i cili është emigrant në Greqi. Ai është nisur menjëherë pasi ka mësuar për tragjedinë në familjen e tij.
Komuna: Shteti të ndihmojë, ura kushton 1 milion euro
Banorët e fshatrave Rrenas, Grekan e Gjyralë ankohen se nuk kanë një urë për të kaluar në anën tjetër, në fshatin Mollas ku bëhet pazari i çdo jave, kanë lidhje familjare dhe rruga është e mirë për të shkuar drejt qyteteve. Zyrtarë të Komunës Gostimë kanë pohuar se ndërtimi i një ure mbi lumin Devoll ka qenë dhe vazhdon të jetë ende në projektet e komunës. Ata thonë se pritet një fond nga buxheti i shtetit, pasi ura arrin një vlerë prej 1 milionë eurosh për shkak të gjatësisë nga njëri breg te tjetri.