Durrësi gati për turizëm elitar me një port jahtesh
DURRES/ OERD ULQINI
Ngritja e një porti ndërkombëtar jahtesh në Shqipëri është një domosdoshmëri e diktuar nga koha. I këtij mendimi është kapiteni i përgjithshëm i porteve Edmond Doraci, sipas të cilit porti i Durrësit i pret në mënyrë të sforcuar velierat e vogla. Kalatat e Portit të Durrësit kanë tarifa tregtare, ku për çdo metër linear kalatë paguhet një shumë e kripur në euro. Të tilla çmime janë të arsyeshme vetëm për anijet e transportit të mallrave, tragetet apo kroçerat e mëdha turistike, por kurrsesi nuk mund të jenë të favorshme për jahte. Të tilla tarifa në vend që të shtojnë numrin e velierave të Mesdheut që vizitojnë Durrësin, trembin turistët pasi janë disa herë më të larta se çmimet e ankorimit për një port turistik. "Duke qenë një port me profil thellësisht tregtar Durrësi nuk është i përshtatshëm, jo vetëm për tarifat, por edhe për lartësinë e kalatave që kërkon një velierë", argumentoi kapiteni. Sipas kryeadministratorit të ujërave shqiptare Edmond Doraci qeveria është duke hedhur themelet e një industrie të madhe turistike, enkas për jahtet. Në skajin verior të Qarkut, në rrëzë të Kepit të Rodonit është caktuar porti i ardhshëm i jahteve, që do të ketë një kapacitet ditor prej 500-600 velierash njëkohësisht. "Ky lloj porti do të jetë i një rëndësie jo vetëm kombëtare, por edhe kontinentale". deklaroi Doraci, i cili është caktuar në detyrën e specialistit për portin e ardhshëm të jahteve në gjirin e Lalëzit.
Me mbarimin e moratoriumit antiskaf pritet që shumë shqiptarë që ua lejon buxheti familjar mund të blejnë një jaht. Detaria për hobi merr një koncept të ri, ndaj Durrësi duhet të përgatitet për "bum"-in e shpejtë të jahteve. Shenjat janë dhënë pasi vit pas viti në Durrës shtohet numri i zbarkimeve nga velierat e vogla turistike. Për kryekapitenin Doraci porti tregtar është krejt i ndryshëm nga ai turistik. "Në portin e ri të jahteve që do të ngrihet në Lalëz është parashikuar ndërtimi i çezmave, rrjetit të supermarketeve, lokaleve zbavitëse, hoteleve, pikave të karburantit, ofiçinave të riparimit etj objekteve që janë kushte të detyrueshme për një port turistik", shprehet ai. Sigurisht që porti i Durrësit nuk i plotëson këto kritere, për vetë profilin e tij tregtar. Porti në Rodon është menduar të ngrihet në një zonë të gjirit të Lalëzit, ku mbrojtja nga era dhe dallgët është shumë e madhe. "Sigurisht që edhe tarifat ankoruese për metër linear në portin e Lalëzit do të jenë shumë herë më të vogla sesa në Durrës", tha Kapiteni. Gadishulli i Rodonit ka një pozicion strategjik në Adriatik, pasi ai konsiderohet si një ndalesë natyrale mes arkipelagut dalmat dhe atij grek dhe si i tillë është shumë i rrahur nga velierat. Veç kësaj në këtë gadishull ekzistojnë edhe objekte të rralla antike dhe mesjetare si Kalaja e Skënderbeut, ajo e Ishmit, Bazilika e Gjuricajt, katedralja e "Shën Andout" etj., të cilët mund të tërheqin aventurierët e detit edhe në ekskursione kodrinore.
Në zonën e Kallmit, në veri të Currilave u projektua në fillim të viteve '90 ndërtimi i një porti jahtesh. Ky port u konceptua si një i vogël, që do të mbulonte vetëm nevojat e qytetit për të apasionuarit e detit. Ai ndodhet brenda vijës së verdhë të Durrësit, por ngritja e tij deri tani ka qenë një dështim i plotë. Kapiteni Doraci e ka quajtur "port-fantazmë" atë të Kallmit, për faktin se në të, edhe tani kur kanë kaluar 15 vjet nga fillimi i punimeve nuk ekziston sinjalistika detare, sistemi i çezmave si dhe porti nuk plotëson kriteret më elementare të sigurisë.