E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhindi, Roskoveci del nga “shtetrrethimi”

 

Fatos Mahmutaj

Tri javë pas vrasjes së ish-deputetit të PS-së Fatmir Xhindi, policia heq gjendjen e gatishmërisë së përforcuar në Roskovec. Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm Ahmet Prençi, vetëm pak minuta pas ekzekutimit të deputetit mbrëmjen e 2 majit, policia e Fierit dhe e gjithë vendit kaloi në gjendje gatishmërie të përforcuar. Urdhri parashikonte rritjen e dukshme të pranisë së forcave të policisë në ambientet publike, ngritjen e postblloqeve dhe zhvillimin e kontrolleve të shpeshta në rrugët automobilistike dhe vëzhgimin në pikat e kalimit kufitar. Në mënyrë specifike gjendja e gatishmërisë së përforcuar parashikonte masa shtesë për policinë e Fierit, e cila u dislokua në zonën e Roskovecit ku banonte deputeti si dhe në rrugët që lidhin këtë zonë me pjesën tjetër të qarkut e më gjerë. Nga burime të policisë së Fierit, mësohet se dy ditë më parë, gjendja e policisë është kthyer në “të zakonshme”, duke parë se në Roskovec dhe zonën përreth nuk ka pasur ngjarje kriminale apo probleme të tjera të rendit.
Gatishmëria e përforcuar
Gjendja e gatishmërisë së përforcuar në qytetin e Roskovecit e vendosur pak minuta pas ekzekutimit të deputetit Xhindi u bë shkak për rritjen e pranisë së forcave të policisë në zonë. Thuajse çdo ambient publik duke përfshirë rrugët, lagjet dhe baret, ishin të vëzhguara nga punonjës të policisë së shtetit, me ose pa uniformë. Në përpjekje për të identifikuar dhe kapur autorët e vrasjes së deputetit, policia vendosi gjendjen e gatishmërisë së përforcuar, duke bllokuar fillimisht rrugët e qytetit të Roskovecit dhe më pas duke ushtruar kontrolle në zonën përreth lokalitetit ku ndodhi krimi i rëndë. Por edhe pas këtyre masave dhe rritjes së kontrolleve e patrullimeve të policisë, identifikimi dhe kapja e autorit të vrasjes nuk u realizua. Siç duket vrasësi ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes para se policia të marrë masat për bllokimin e zonës. Kur kanë kaluar tri javë nga vrasja e deputetit, policia vendosi rikthimin e gjendjes së zakonshme në zonë. Gjendja e gatishmërisë së përforcuar ishte vetëm një nga aspektet e dukshme të angazhimit të policisë me ngjarjen, pasi më shumë se 100 hetues, agjentë dhe ekspertë u angazhuan në hetimin e ngjarjes së 2 majit. Nga momenti kur ndodhi vrasja e Fatmir Xhindit në zonën e Roskovecit qëndrojnë efektivë policorë të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve, të cilët po punojnë për zbardhjen e ngjarjes me anë të mbledhjes së informacioneve dhe pyetjes së banorëve të zonës. Zyrtarët e policisë konfirmuan dje se patrullimet në zonë do të vazhdojnë por në intensitet më të ulët se ai i tre javëve të fundit. Forcat e policisë së Roskovecit tashmë do të qëndrojnë në punë vetëm tetë orë, duke mos kryer shërbime në orare shtesë. Gjatë hetimit të ngjarjes të rëndë policia e Fierit ka marrë në pyetje dhjetëra persona.

Dështimi me provat në vendin e ngjarjes
Dy nga ato që u konsideruan si provat më të rëndësishme për vrasjen e Fatmir Xhindit, një qese plastike që u deklarua se ishte lënë nga autori në vendin e ngjarjes, si dhe një pako aspirinash, janë konsideruar prova të dështuara pasi nuk përmbanin asnjë gjurmë, lëndë apo element tjetër identifikues. Sipas ekspertizës ato kishin disa ditë nën faktorët atmosferikë. 

“Dy pista hetimi për vrasjen”

TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila po drejton hetimet për vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi tashmë është fokusuar në dy pista të vetme, pas 11 të tillave që u ngritën menjëherë pas ngjarjes. Pak ditë më parë, duket se hetuesit janë tërhequr edhe nga verifikimet në pistën e konflikteve të pronësisë, pasi në këtë drejtim nuk janë gjetur prova që tregonin se ky kishte qenë shkak i ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare, veprimet hetimore janë duke u zhvilluar në funksion të dy pistave, vrasja për shkak të cilësive të veçanta që lidhet me funksionin e deputetit dhe konfliktet personale apo problemet private. Edhe në këto dy pista që vazhdojnë të hetohen, policia dhe prokuroria nuk kanë të dhëna për persona konkretë të dyshuar në lidhje me ngjarjen.

Vonesa e policisë dhe arratisja me makinë e autorëve të atentatit
TIRANE – Ekzekutimi me 9 plumba i deputetit Fatmir Xhindi ndodhi në ora 21:15, të shtunën e 2 majit 2009, në portën e banesës së 49-vjeçarit në Roskovec të Fierit. rreth 15 minuta më vonë, në ora 21:30 policia u vu në dijeni për ngjarjen, pasi pa familjarët e Fatmir Xhindit që po transportonin viktimën në drejtim të spitalit të Fierit. Nga momenti kur kishte ndodhur krimi, derisa policia mori sinjalin e parë për ngjarjen, kishin kaluar 15 minuta. Ngjarja ishte e beftë dhe aq më tepër ndodhi në një ditë të shtunë dhe në një orë, kur shumë njerëz ndodheshin para televizioneve në shtëpi apo bare duke ndjekur ndeshjet e futbollit. Në këtë mënyrë, angazhimi i policisë, mbërritja në vendin e ngjarjes dhe bllokimi i zonës me postblloqe deshi edhe disa minuta të tjera. Minuta të cilat duket se kanë qenë vendimtare për fatin e autorit të vrasjes dhe krejt çështjes në tërësi, pasi ekzekutori duket se ka arritur të largohet para ngritjes së pikave të kontrollit nga policia. Pa kaluar shumë nga ngjarja, një efektiv i rendit me një qen gjurmues të policisë kufitare, shkoi në vendin e ngjarjes. Kafsha ra në gjurmët e autorit të vrasjes të cilat i ndoqi që nga oborri i banesës së Fatmir Xhindit, duke vazhduar rrugicës që të shpie në drejtim të qendrës së Roskovecit dhe ndaloi tek rruga kryesore që niset në drejtim të Fierit. Aty gjurmët e vrasësit kanë humbur, pasi siç duket bashkëpunëtorë të tij kanë pritur me një automjet, i cili është larguar menjëherë nga zona ku ndodhi ngjarja e rëndë. Edhe pas ngritjes së postblloqeve të policisë në Fier e Roskovec,  forcat e rendit nuk u përballën atë natë por edhe më pas, me persona apo automjete të dyshimta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›