E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kledi Kadiu, çmim letrar për autobiografinë e tij

 

Duket se aventura e adoleshentit të dikurshëm, që donte të provonte fatin përtej detit, në perëndimin e madh dhe të panjohur, ka prekur jurinë, por edhe zemrat e të rinjve. Ndërsa ka korrur shumë suksese i balerin, Kledi Kadiu, këtë herë vlerësohet si shkrimtar. Sot, në një ceremoni festive që zhvillohet në Napoli, ai merr çmimin letrar “Elsa Morante 2009”, në gjininë e romanit për të rinj. Këtë çmim e meritoi për librin e tij autobiografik “Jeta ime, më shumë se një përrallë”. Ky libër, një botim i shtëpisë botuese “Mondadori” doli në libraritë italiane disa muaj më parë, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e lexuesit. Kjo jo vetëm për shkak të famës së tij në vendin fqinj, por edhe për sinqeritetin e rrëfimit të tij. Në librin “Meglio di una favola la mia vita”, ai rrëfen historinë e jetës së tij, që nis me aventurën e largimit nga Shqipëria, dështimet, përpjekjet, deri tek suksesi dhe fama.  Trofeun “Elsa Morante” Kadiu do ta marrë gjatë një aktiviteti treditor, gjatë së cilit do të zhvillohen disa veprimtari, që nga leximi i pjesëve nga librat fitues, shfaqja e dokumentarëve, takime me të ftuar, etj. Ndërkohë Kledi Kadiu është tërësisht i impenjuar me baletin, dashurinë e tij të parë. Pas 100 shfaqjesh në gjithë Italinë me baletin “Romeo e Xhulieta”, ai mbylli mbrëmë turneun e tij në teatrin “Olimpik” të Romës. Ndërsa në shtator premton të rikthehet në akademinë “Amici” të Maria De Filippit. Por ambicia e tij shkon më tej se tek një balerin i thjeshtë që u demonstron pjesët nxënësve. “Do të doja të isha mësues. Do të jem tepër i rreptë, sepse unë kam mbi shpinë eksperiencën e shkollës dhe të lodhjes. Për të mirën e nxënësve, do të jem tepër kërkues”,- është shprehur ai për mediat italiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›