E Diel, 1 Nëntor 2026

Arapi: Cenaj e Goxhi çuan në Greqi 8.9 mln USD të fajdeve

Farudin Arapi ish-kreu i administratorëve të Fajdeve reagoi dje pas deklaratës... 

Fatos Mahmutaj

... së ish-zëvendësministrit Eduard Halimi, për mosparaqitje të tij në procesin që zhvillohej në Greqi në ngarkim të Lefter Cenaj, ish-kreut të firmës piramidale “Cenaj & Co”. Duke i quajtur politike akuzat e Halimit, Arapi pohoi se nuk ishte thirrur kurrë në Greqi në një proces gjyqësor. Kjo për faktin se ai ka mbajtur një post politik. Duke folur rreth firmës “Cenaj” dhe ish-bosit të kësaj piramide, Lefter Cenaj, Arapi tha se ai ishte arrestuar në Greqi pasi kishte transferuar jashtë Shqipërisë në mënyrë të paligjshme rreth 8.9 milionë USD, të cilat menjëherë pasi ishin verifikuar i ishin bllokuar nga drejtësia greke. Pas kësaj Arapi pohoi se Cenaj u mor në përgjegjësi penale, ndërsa shteti shqiptar kërkoi që këto shuma të cilat u përkisnin shqiptarëve të ktheheshin sërish.
Transfertat
Sipas Arapit, ish-bosi i “Cenaj” kishte bërë një transfertë prej 8.9 milionë USD, në të cilën përfshihen rreth 11 kontrata tregtare, të cilat i ka lidhur vetë Lefter Cenaj, në kohën që ushtronte funksione drejtuese në shoqërinë e tij në Vlorë. “Veç kësaj është dhe një transfertë financiare që kanë qenë njohur më parë, që e ka bërë Kristo Goxhi, për të cilën ka filluar procesi nga ana jonë edhe në Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë. Ky ka bërë një transfertë financiare prej rreth 5 miliardë dhrahmish, ose e konvertuar në USD është 4 milionë”, pohoi dje Arapi i pyetur nga gazeta. Sipas Arapit, Cenaj pasi ka kryer këto veprime të transfertës financiare ai ka tërhequr menjëherë paratë dhe është arrestuar dhe dënuar në Greqi për evazion fiskal. Duke i quajtur politike akuzat e Avokatit të Shetit Eduard Halimi, Arapi pohoi dje se: “Akuzuesi im nuk e njohka fare historinë e piramidave dhe proceseve gjyqësore të këtyre firmave. Tani të fundit të them se, asnjëherë nuk është thirrur pala shqiptare në Greqi dhe nuk ka si të jetë thirrur kur nuk është zhvilluar asnjëlloj procesi”.
Reagimi
Duke vazhduar reagimin ndaj Halimit, Arapi pretendoi se përsa i përket Avokatit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë Halimi, duhet të shikojë dokumentacion që qeveria shqiptare në atë periudhë ka adresuar institucionin e Avokatisë së Shtetit të marrë pjesë në procese gjyqësore civile. “Realisht ky institucion drejtohej atëherë nga Spiro Peçi dhe kanë marrë pjesë në procese përfaqësues të Avokatit të Shtetit, e për këtë ka dokumentacion. Them që këta njerëz që akuzojnë atëherë kanë qenë të vegjël dhe sot mbajnë poste të larta, por nuk njohin legjislacionin e këtushëm”, tha Arapi. Duke shpjeguar procedurat që janë ndjekur për rikthimin e shumave të transferuara në Greqi, Arapi tha se gjithçka u ishte besuar dy kompanive ndërkombëtare, që ishin paguar gjithashtu nga donatorë ndërkombëtarë, të cilat duhet të bënin transparencën e plotë të kompanive piramidale.

Arapi, 8 vjet kreu i fajdeve

Farudin Arapi ka drejtuar administratorët e fajdeve nga viti 1997 deri në tetor të vitit 2005, kur në pushtet erdhën të djathtët. Qeveria e djathtë vendosi pushimin e tij nga detyra dhe zëvendësimin nga Bajram Malaj. Gjatë kohës që ka drejtuar administratorët e fajdeve, Arapi është sulmuar shumë herë politikisht, ndërsa nuk kanë munguar edhe denoncimet në prokurori ndaj tij ku ai apo institucioni i tij akuzoheshin për abuzime me asetet e piramidave. Ndërkohë, pas pushimit nga detyra në tetor të tre viteve më parë Arapi depozitoi një padi në gjykatë për të përfituar pagën kalimtare. Ndërkohë pas vitit 1997 Arapit i është dashur të përballet me disa padi civile në gjykatë, si i paditur dhe si paditës kundër politikanëve, për shkak të deklaratave mediatike për çështjen e fajdeve.

Akuzat e Avokatit të Shtetit, Eduard Halimi
Avokati i Shtetit Eduard Halimi, ish-zëvendësministri i Drejtësisë akuzoi dy ditë më parë në një prononcim për mediat ish-ministrin socialist të Financave Arben Malaj dhe ish-kryeadministratorin e fajdeve Farudin Arapi se, kanë refuzuar të shkonin për të dëshmuar në Greqi në procesin që zhvillohej kundër Lefter Cenaj. Sipas Halimit, ky është nja shkaqet që grekët nuk rikthyen shumat që janë bllokuar atje.

Arben Malaj përgënjeshtroi Halimin
Arben Malaj, 3 herë ministër i Financave gjatë viteve 1997–2005, përgënjeshtroi deklarimet e Avokatit të Shtetit Eduard Halimi, se kishte refuzuar të dëshmonte në gjykatat greke. Në një prononcim telefonik dy ditë më parë Malaj pretendoi se, gjithçka ishte shpifje dhe bëhej ndaj tij për arsye politike, pasi ky kishte kritikuar qeverisjen e të djathtëve. Ai tha se nëse kjo ishte e vërtetë atëherë të publikohej fletëthirrja. 

Ekspertizë shitjes së aseteve të fajdeve

Prokuroria shqiptare nuk ka asnjë fuqi ligjore të ndikojë në kthimin e parave të fajdeve shqiptare, të cilat rezultojnë se janë transferuar në Greqi, por edhe në vende të tjera si Angli, Zvicër dhe Holandë.

Trazhgim Sokolaj

Megjithatë, në Zyrën Task-Force Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës, ndodhet një dosje e hapur në hetim, për abuzimet me shitjen e aseteve të fajdeve nën vlerën e tyre reale dhe heqjen e debitorëve VIP të piramidave nga borderotë e borxhit. Dosja është hapur që në vitin 2006 pas një kallëzimi të bërë nga Grupi Mbikëqyrës, por që atëherë derisa kaloi në duart e prokurorëve të Zyrës Task-Force, fashikulli hetimor ka qenë thuajse i harruar. Pak kohë pasi Zyra Task-Force regjistroi dosjen e fajdeve në hetim, në Prokurori u thirr si dëshmitar dhe person në hetim, ish-kryeadministratori i fajdeve Farudin Arapi. Ai u mor në pyetje për faktin se dhjetëra objekte që krerët e skemave piramidale kishin blerë në gjithë vendin me paratë e kreditorëve shqiptarë, ishin shitur nga Grupi Mbikëqyrës disa fish nën vlerën e tyre reale, madje në disa raste me çmime simbolike, duke u bërë kështu shkak për më pak arkëtime dhe një koeficient më të vogël kthimi për shumat e parave që iu dhanë mbrapsht kreditorëve, të cilët humbën kursimet e tyre. Sipas Prokurorisë, Farudin Arapi e ka nxjerrë veten nga përgjegjësia duke pretenduar se, nuk ka kryer veprime vendimmarrje për çmimin e shitjes së objekteve që në fakt ishin bllokuar nga Grupi Mbikëqyrës e më pas ishin shitur në mënyrë që me paratë e përfituara të kompensoheshin kreditorët që humbën pasurinë dhe kursimet e tyre nga mashtrimi masiv prej skemave piramidale.
Ekspertiza kontabël
Tanimë Njësia Task-Force Antikorrupsion, konfirmon se për dosjen e fajdeve është duke u zhvilluar një ekspertizë kontabël. E cila parashikon verifikimin e të gjithë dokumentacionit dhe vendimeve të Grupit Mbikëqyrës, që nga ballafaqimi me ligjet në fuqi për të parë rastet kur ka pasur shkelje të tyre, e deri tek ekspertimi i borderove të debitorëve të skemave piramidale, në dhjetëra raste personazhe VIP të jetës publike, që janë zhdukur nga dokumentet. Heqja e këtyre emrave ka shkaktuar dëm ekonomik për kreditorët e fajdeve, pasi personazhet VIP kanë shpëtuar nga detyrimi për të kthyer huatë që kishin marrë nga piramidat, në shumë raste edhe përmes njohjes apo miqësisë me krerët e ish-shoqërive piramidale. Moskthimi i këtyre shumave për shkak të heqjes së emrave nga lista e debitorëve, është bërë shkak që kreditorët shqiptarë të marrin mbrapsht një përqindje të pakonsiderueshme krahasuar me shumat e parave dhe kursimeve që kishin arkëtuar pranë filialeve të skemave piramidale në gjithë vendin. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, objekt i hetimit të Task-Forcës janë veprimet e Grupit Mbikëqyrës me pronat dhe borderotë e ish-shoqërive piramidale “Vefa”, “Xhaferri” dhe “Gjallica”, për shumat më të mëdha të dëmit ekonomik dhe përmasat e abuzimit, por edhe ish-kompani të tjera që kanë vepruar në periudhën 1996-1997. Një vit më pas Grupi Mbikëqyrës kishte zbatuar një vendim për të shpallur debitorë të skemave piramidale vetëm ata persona apo subjekte, që kishin marrë nga arkat e fajdeve mbi 1 milion lekë të reja. Të gjithë personat që kishin marrë më pak se kjo shumë, duke u justifikuar me vendimin e mësipërm, janë hequr nga lista e debitorëve vetëm me një prokurë, duke shkaktuar një dëm financiar të konsiderueshëm për shkak të numrit të lartë të debitorëve që bënin pjesë në këtë kategori. Ekspertiza kontabël që po zhvillon Zyra Task-Force Antikorrupsion me disa specialistë të fushës, ka për qëllim edhe përcaktimin e çmimeve të disa prej objekteve “strategjike”, që kishin blerë skemat piramidale dhe më pas krahasimin e kësaj vlere me shumat për të cilat janë shitur këto objekte për të nxjerrë kështu në pah, dëmin financiar të shkaktuar kreditorëve shqiptarë.

Dosja e fajdeve

• 3 kallëzime në Prokurori, ndaj Farudin Arapit

• I pari nga Komisioni Hetimor Parlamentar (firmosur nga kryetari Arben Imami dhe katër anëtarë)

• I dyti nga ish-kreu i Përmbarimit Tiranë, Detar Hysi

• I treti, nga pasardhësi i Farudin Arapit në krye të Grupit Mbikëqyrës të fajdeve
 
• 95 miliardë lekë, dëmi ekonomik që pretendohet se iu shkaktua shtetit

• 3 denoncime
të bëra në Prokurori në adresë të Farudin Arapit, tashmë janë bashkuar në një dosje të vetme, e cila po vlerësohet nga hetuesit e organit të akuzës
 
• 30 milionë
dollarë dyshohet se ka qenë dëmi i shkaktuar nga shitja nën vlerë e objekteve të blera nga piramidat dhe zhdukja e debitorëve nga listat

Ish-debitorët

Në kuadër të hetimit për shitjen abuzive dhe nën vlerë të objekteve që kishin blerë piramidat, Prokuroria po heton zhdukjen e qindra emrave nga lista e 2 mijë debitorëve të ish-skemave piramidale. Zhdukja e dokumenteve për personat që kishin marrë borxh tek fajdet, ka bërë që kthimi i parave, që ata kanë marrë të jetë i pamundur, pasi nuk ka dokumente që mund të përdoren në rrugë ligjore për këtë qëllim.   

Përmbarimi i Tiranës: Kemi 580 dosje të fajdeve pa ekzekutuar

TIRANE - Ekstradimi i ish-bosit të “Cenaj”, Lefter Cenaj është pritur mirë edhe nga përmbarimi i kryeqytetit, institucion të cilit prej vitesh i kanë mbetur dhjetëra dosje debitorësh të piramidave, që nuk është bërë e mundur të ekzekutohen. Tashmë ky institucion si të gjithë institucionet e tjera të drejtësisë ndodhet me lejet e zakonshme, por pritet që në ditët në vazhdim, të ngrihet një grup pune, i cili do të bëjë verifikime të pasurive të debitorëve për të mundësuar ekzekutimin e këtyre çështjeve. Kreu u Përmbarimit të kryeqytetit Arjan Bylykbashi pohoi se janë rreth 580 dosje të debitorëve të fajdeve, mes tyre edhe të firmës “Cenaj”, të cilat ndodhen në tavolinat e përmbaruesve dhe që nuk është bërë e mundur të zbulohen asete apo llogari bankare, me të cilat të shlyhen debitë. Duke folur për dosjet e piramidave Bylykbashi pohoi se, pjesa më e madhe e tyre, megjithëse ishin mbartur prej vitesh tashmë janë ekzekutuar kjo si meritë e grupit të punës të ngritur një vit më parë. Nga rreth 1300 dosje të debitorëve të fajdeve, sipas Bylykbashit me tepër se 700 tashmë janë likuiduar, pasi përmbaruesit kanë gjetur pasuri dhe i kanë bllokuar. Duke folur për shifra kreu  i Përmbarimit pohoi se, shumat në këto dosje fillojnë nga 50 mijë lekë të reja dhe shkojnë deri në 200 mijë USD. Deri tani shteti sipas tij ka arkëtuar rreth 20 milionë USD dhe një shifër e përafërt pritet të mblidhet gjatë muajve në vazhdim.             f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›