E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa, turistë nga Anglia e Izraeli për “Birra Korça”

KORÇE – Me një pjesëmarrje që pa frikë regjistroi numrin e 50 mijë vetëve, u mbyll mbrëmë nata e fundit e “Festës së Birrës… vetëm në Korçë”. 

Korçarëve dhe pogradecarëve u janë shtuar dje miq e turistë nga qytete e shtete të tjera. Turistë të huaj nga Greqia, Italia, Maqedonia, Anglia e deri nga Izraeli janë bashkuar në festën më të madhe të ditëve të verës. Pasi kanë dëgjuar për atmosferën e ndezur në qytetin e serenatave, pushuesit e huaj u janë bashkuar miqve shqiptarë në tavolinat me meze e birrë të ftohtë. Për të pranishmit e kësaj feste, ajo do të mbetet një natë e paharruar. Mijëra njerëz ishin derdhur në sheshin e festës dhe nën kënaqësinë e birrës, prodhimeve tradicionale dhe të koncertit artistik kaluan orë të tëra nën qiellin e hapur dhe flladin e freskët, që të afron një natë e mrekullueshme gushti në Korçë. Pas ditës së nxehtë ata janë freskuar me birrën e ftohtë që afronte “Birra Korça”. Nata e katërt mblodhi afro 50 mijë vetë në sheshin e festës, në lulishten në krahët e tij dhe në një pjesë të parkut “Rinia”. Organizatorët e festës kanë pohuar se dje është rritur ndjeshëm pjesëmarrja e festuesve nga qytetet në thellësi të vendit, veçanërisht nga Tirana dhe Durrësi, ndërsa janë regjistruar dhe të huajt nga shtetet fqinje, apo nga Anglia e Izraeli i largët. Ata duke përfituar nga fundjava kanë preferuar të bashkohen mbrëmjen e së dielës me korçarët në festën e birrës, ku më e preferuara ka qenë birra bionde dhe brune e fabrikës së traditës, “Birra Korça”. “Erdhëm për të festuar Shën Mërinë me njerëzit tanë këtu në Korçë. Kemi katër ditë që vetëm festojmë. Sot poqëm një shqerrë dhe erdhëm këtu familjarisht. Po hamë mish të pjekur, pimë birrë të ftohtë Korçe dhe kënaqemi me koncertin që jepet te sheshi. Edhe në Greqi hamë mish, por shijen që ka mishi këtu në Shqipëri nuk e gjejmë atje”, u shpreh dje Josif Mihali, emigrant në Greqi. Na e bëri kësmet festa e birrës që të mblidhemi e të festojmë të gjithë së bashku”.
“Festa e birrës... vetëm në Korçë” erdhi si prolog i sezonit turistik të organizuar nga Bashkia e Korçës gjatë muajve të verës. Pas dhjetëra veprimtarive e festave të shumta, ku protagonistë kanë qenë korçarët, por edhe shumë miq të saj nga vendi dhe bota, për katër ditë rresht u organizua Festa e Birrës. Ajo ishte festë e hapur dhe në të morën pjesë katër kompani që prodhojnë e tregtojnë birrë, dy kompani që prodhojnë e tregtojnë sallamra e meze të tjera dhe një firmë që tregton ëmbëlsira.
Por mbretëresha e festës për katër net rresht mbeti “Birra Korça”, e mirënjohura në Korçë dhe në gjithë Shqipërinë prej afro 80 vjetësh.                                j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›