E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja UNMIK-EULEX, sot pakti

UNMIK dhe EULEX sot do të nënshkruajnë një memorandum mbi kalimin e kompetencave nga OKB në BE për Kosovën. 

 Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko deklaroi se, sot do të nënshkruhet memorandumi i mirëkuptimit mes UNMIK-ut dhe EULEX-it, përmes të cilit rregullohen marrëdhëniet për bartjen e kompetencave në gjykata, polici dhe në dogana. Memorandumi do të përcaktojë detajet teknike të funksionimit të EULEX-it në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, gjatë periudhës së rikonfigurimit të UNMIK-ut. Lëvizja ka sjellë reagimin e Beogradit, i cili ende e vlerëson si të jashtëligjshëm EULEX-in, misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë, “përderisa nuk ekziston një rezolutë e Kombeve të Bashkuara që ta miratojë këtë misionin”. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, tha dje se ishte gabim që misioni i OKB, UNMIK, t’ia dorëzojë funksionet e tij Bashkimit Evropian pa miratimin e Serbisë dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Procesi i rikonfigurimit të UNMIK-ut ka nisur pa miratimin e të dyja palëve të interesuara dhe pa aprovimin e domosdoshëm të Këshillit të Sigurimit. Ne mendojmë se ky është një gabim i madh”, tha Jeremiç për agjencinë “Beta”. Pas nënshkrimit të memorandumit, rreth 2 200 anëtarë të EULEX do të zbarkojnë në Kosovë. Që nga viti 1999 Kosova administrohej nga UNMIK. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha në qershor se, ai e kishte planifikuar rikonfigurimin e UNMIK-ut. Në raportin e tij në korrik ai tha se për shkak se Këshilli i Sigurimit nuk ishte në gjendje të jepte direktiva, ai i kishte kërkuar misionit të bashkëpunonte me BE, me qëllim që misioni i saj të kishte rol operativ në Kosovë. “Marrëveshja me BE për Kosovën dhe dorëzimi i dy të kërkuarve të tjerë në Hagë janë pengesat e vetme të anëtarësimit të Serbisë në BE”, tha ish-ministri i Jashtëm serb, Goran Svilanoviç. “Nëse ne i eliminojmë këto dy pengesa brenda mesit të vitit të ardhshëm, Serbia do ta ketë rrugën e hapur për në BE”, deklaroi Svilanoviç për të përditshmen serbe, “Blic”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›