Felps është legjendë, fiton medaljen e 8
Njerëzor, shumë njerëzor. Përpara se të ngjitej në podium, Felps nuk i mbante dot lotët. I emocionuar, ai nuk gjente dot fjalët. Vendosi dorën në zemër dhe dëgjoi deri në fund himnin amerikan, duke luftuar me emocionet e forta. Ndodhej shumë pranë Hansenit, që këndonte himnin e tij. Felpsi qëndroi në heshtje, të cilën e theu më pas me një buzëqeshje. Tregon medaljen e artë. Në sytë e tij shkëlqen gëzimi. Pastaj, gjatë xhiros së nderit përqafon nënën dhe motrën e tij. Me krenari i tregon publikut flamurin amerikan. Tani Felps është idhulli i amerikanëve, njësoj si Kobi Brajant apo Lebron Xhejms. Notari amerikan Majkëll Felps thyen rekordin e Mark Spitz. Ashtu siç edhe ishte parashikuar, ai ka fituar medaljen e tetë të artë në të njëjtën Olimpiadë. Felps vari në qafë medaljen e tetë, duke siguruar një vend nderi në historinë e Lojërave Olimpike. Majkëll Felps është atleti i parë që arrin të fitojë tetë medalje ari në të njëjtin eveniment. Me fitoren e djeshme, notari ka mbyllur në mënyrën më të mirë një javë, gjatë së cilës ka thyer disa rekorde.