E Diel, 1 Nëntor 2026

Fiqirete Shehu: Mehmeti me Kadriun nxorën nga burgu agjentët e Perëndimit

 

AFRIM IMAJ

“Tani që Mehmeti iku, duhet të bësh çmos për të ruajtur pjesën tjetër të familjes dhe djemtë”. Fiqirete Shehu e veja e kryeministrit më jetëgjatë të vendit mori përsipër t’i përgjigjej paktit të Sigurimit të Shtetit dhe Hetuesisë vetëm në shkëmbim të lëshimeve ndaj të afërmve të saj. Pavarësisht dyshimeve për korrektësinë e kësaj marrëveshjeje të fshehtë, ajo nuk u rezervua për të interpretuar çfarë i diktuan, ndërkohë që ishte e bindur se, ishte shkërmoqur gjithçka nga lavdia dhe meritat e të shoqit dhe familjes së saj. Jo rastësisht, e veja e kryeministrit ishte përzgjedhur si faktori kyç për të kryqëzuar Kadri Hazbiun, liderin komunist, ndër më karizmatikët e figurën më besnike të shfaqur deri në atë periudhë. Në rrëfimin e gjatë para trupit gjykues, Fiqirete Shehu shtjellon për orë të tëra profilin e veprimtarisë agjenturore të ish-ministrit të Brendshëm duke e argumentuar me fakte e dëshmi konkrete. Në vazhdim të denoncimit ndaj Kadri Hazbiut dhe veprimtarisë së tij ajo shpalos një sërë ngjarjesh rreth përpjekjeve të ish-ministrit të Brendshëm për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike me BS pas vdekjes së Hrushovit, më saktë, ato që ka dëgjuar nga tregimet e bashkëshortit. Madje, siç shprehet gruaja e ish-kryeministrit, Kadri Hazbiu, bashkë me Mehmet Shehun, kanë bërë ç’është e mundur që vendimi politik i Tiranës në vitin ‘60 mos të shkonte te divorci. Njëherazi me angazhimin e ish- kreut të Sigurimit për të shkrirë akujt mes Tiranës e Moskës, Fiqirete Shehu qartëson rolin e veçantë të Nesti Nases, ish-ministër i Jashtëm, i cili në atë periudhë bëri të pamundurën me diplomatët sovjetikë për rivendosjen e marrëdhënieve midis dy vendeve. Fokusi i kësaj historie zë pasazhe të tëra në dëshminë e të vesë së ish-kryeministrit. Në këtë linjë adreson ajo për Kadri Hazbiun akuzën tjetër, që ka të bëjë me përpjekjet e fshehta të tij për afrimin me Jugosllavinë dhe Titon pas prishjes me BS-në. Këtë radhë ka qenë një tjetër misionar, Feçor Shehu që bëhet protagonist i kryqëzimit të mesazheve agjenturore Beograd-Tiranë. E kur mbaron rrëfimin e veprimtarisë agjenturore në planin politik, e veja e kryeministrit që ka vënë në shenjë Kadri Hazbiun, zbulon një episod të panjohur më parë, i cili ka të bëjë me bashkëpunimin e tij me Mehmet Shehun për nxjerrjen nga burgu të agjentëve amerikanë me amnistinë e vitit ‘53. Si gjithnjë rrëfimi i zonjës së ish-kryeministrit, i referohet kujtimeve nga bisedat me  bashkëshortin. Madje edhe komentet që bën në proces për faktet që penalizojnë ish-ministrin e Brendshëm, janë pjesë e argumenteve që ka mësuar gjatë debateve me Mehmet Shehun. Për të,  Kadri Hazbiu, në mënyrë tinëzare e të pabesë ka përcjellë tek Enver Hoxha në shtator ‘81 mesazhin e UDB-së për fejesën e djalit të tyre me Silva Turdiun, me qëllim kryqëzimin e tij me biografinë e keqe të saj...
ARANIT ÇELA: Të fillojmë me radhën kronologjike të ngjarjeve...
FIQIRETE SHEHU: Në vitin 1960, pasi u bë Konferenca e 81 partive në Moskë dhe filloi polemika midis PPSH-së dhe partisë revizioniste të BS-në, pasi u prenë marrëdhëniet me BS-në, Kadri Hazbiu kishte shprehur mendime të tilla, sikurse dhe Mehmet Shehu, që nuk ishte për prerjen e marrëdhënieve me BS-në. Në të kundërt, edhe kur u prenë marrëdhëniet ishte për ndërmarrje veprimesh për të lidhur marrëdhënie siç edhe u veprua, siç do të shpjegoj më poshtë, nëpërmjet Nesti Nases. Me vonë në 1964 pas rrëzimit të Hrushovit, Kadri Hazbiu i ishte shprehur Mehmet Shehut, pasi i qe shprehur qysh në ’60-ën që s’e shihte të arsye­shme një qëndrim të atillë të partisë sonë, në këtë rast në ’64-ën kur revizionistët sovjetikë, udhëheqësit e rinj revizionistë sovjetikë, që zbatonin hrushovizmin pa Hrushovin bënin dhe ndonjë deklaratë që ishin të gatshëm të lidhnin marrëdhënie me vendin tonë mbi ato pozita dhe mbi ato baza që qenë edhe më parë, para se të merrte pu­shtetin Hrushovi.
ARANIT ÇELA: Cilat ishin përpjekjet e Kadriut?
FIQIRETE SHEHU: Kadri Hazbiu i pati thënë Mehmet Shehut, që më duket se tani erdhi momenti, që edhe ne ta themi fjalën tonë, të li­dhim marrëdhënie me BS-në, të ndërpresim polemikën. Mehmet Shehu i tregoi në këtë rast Kadri Hazbiut, siç më ka shpjeguar ai gjithnjë, që ai e kishte porositur, Nesti Nasen që të gjente forma e mënyra për të shkëmbyer mendime për tratativa me udhëheqë­sit sovjetike, d.m.th., nëpërmjet njerëzve të diplomacisë sovjetike për të arritur në marrëdhënie të mira. Kadri Hazbiu ishte treguar entuziast në këtë drejtim dhe kishte thënë që po, Nesti Nase duhet të gjejë forma e mënyra, të hedhë hapa të atilla që të mund të konkretizohen marrëdhëniet e mira të vendit tonë me BS-në. Për këto çështje mua më ka folur si Mehmet Shehu ashtu dhe Nesti Nase. Ndërsa më 1960 më ka folur për pikëpamje dhe veprime të Kadri Hazbiut në kundërshtim me vijën e partisë edhe Feçor She­hu, Feçor Shehu në këtë kohë punonte në Shkodër por nuk e kishte zor të vinte në Tiranë, kishte ardhur për punë këtu, erdhi dhe në zyrën time për të më sjellë një detyrë tjetër agjenturore, detyrë të re në këtë situatë të re, dhe mbasi më dha detyrën mua, më shpjegoi se një detyrë agjenturorë të ngjashme ka marrë edhe Kadri Hazbiu nga zbulimi jugosllav. Konkretisht më tha Feçor Shehu, Kadri Hazbiu ka marrë detyrën që të flasë me njerëzit, kuadrot e Sigurimit që të kemi kujdes në këto momente, që të afrohemi me Jugosllavinë dhe të ruhen elementët agjentë në shërbim të zbulimit sovjetik dhe elementë të tjerë antiparti. Më tregoi se Kadri Hazbiu kishte bërë një mbledhje me kuadrot e ministrisë, sikurse edhe me kryetarët e degëve të punëve të brendshme, ku kishte shtruar çështjen që gjoja në zbër­thim të orientimeve të Komitetit Qendror të partisë që në këto situata, ku rrezik kryesor për vendin tonë doli Bashkimi Sovjetik, duhet të kemi kujdes që mos t’i acarojmë marrëdhëniet me Jugosllavinë, në të kundërtën, na intereson që të krijohen marrëdhënie fqinjësie të mira, prandaj të kenë kujdes kuadrot e Sigurimit dhe ata të Kufirit, natyrisht në mënyrë të kamufluar e kishte shtruar këtë, të mos bë­hen shkak për acarimin e këtyre marrëdhënieve. Gjithashtu, kishte shtruar çështjen që ka persona, të cilët në këtë situatë të prerjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik mund të kenë paqartësi e mund të bëjnë pyetje. Ka kuadro që kanë mbaruar studimet në BS dhe kuadro të tjerë që janë martuar me gra sovjetike, që mund të takohen midis njëri-tjetrit, ne jo çdo gjë dhe çdo fjalë e çdo takim ta marrim si veprim armiqësor, të tregohemi të kujdesshëm, kishte shpjeguar Kadri Hazbiu, gjithnjë në mënyrë të kamufluar. Ndërsa pasi kishte shtruar këto çështje, që synonin uljen e vigjilencës revolucionare në këtë moment, kur partia porosiste që të mprihej sa më shumë kjo vigjilen­cë. Mbasi kish mbaruar këtë mbledhje Kadri Hazbiu, siç më shpjegoi Feçor Shehu, kish mbajtur Mihallaq Ziçishtin dhe Feçor Shehun dhe se kishte thënë që besoj se e kini të qartë pse i shtrova çështjet ashtu. Në fakt ne na duhet të punojmë në mënyrë të atillë që në këtë situatë, kur doli revizionizmi sovjetik të krijojmë marrë­dhënie, ta shfrytëzojmë këtë situatë për të krijuar marrëdhënie më të mira me Jugosllavinë dhe njëkohësisht që të mos goditen kuadrot që punojnë në favor të BS nga këta që kanë mbaruar në BS dhe që janë në shërbim të tyre ose nga ata që janë martuar me gra sovjetike...
ARANIT ÇELA: Tjetër Fiqirete Shehu...
FIQIRETE SHEHU: Gjatë vitit 1953 kur ishte akoma ministër i Brendshëm Mehmet Shehu janë dy episode me të cilat lidhet armiku Kadri Hazbiu. E para, në 1953 shteti ynë kishte marrë një vendim që të bëhej një amnisti nga e cila do të përfito­nin të burgosur nga ish-grupi i intelektualëve. Mehmet Shehu kishte marrë në këtë kohë një detyrë nga agjentura amerikane që me këtë rast të liroheshin edhe disa agjentë amerikanë dhe më tregoi se për bërjen e listave, për futjen edhe të agjentëve amerikanë në këto lista që do përfitonin nga amnistia për këtë punë, kishte ngarkuar të punonte Kadri Hazbiu, si dhe Mihallaq Ziçishti dhe pastaj do t’i shikonin të tre së bashku. Po në vitin 1953, është një episod tje­tër i rëndë e i rëndësishëm. Byroja Politike në fund të gushtit 1953 ose ditët e para të vitit 1953 analizoi punën në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Aty u bënë kritika shumë të rënda për punën në Ministrinë e Brendsh­me dhe për lidhjet që mbaheshin nga Mehmet Shehu e udhëheqës të tjerë, pra edhe Kadri Hazbiu, me këshilltarët sovjetikë, të cilëve u thuhej çdo gjë sikurse dhe me ambasadorin sovjetik, që në atë kohë ishte Leviçkini, të cilit i thuhej çdo gjë qoftë nga çështjet që ki­shin të bënin me problemet e sigurimit, ashtu edhe çështje të par­tisë. Nga kjo kritikë Mehmet Shehu u trondit shumë dhe i tha Kadri Hazbiut, se nuk linte gjë pa i thënë, që situata në Byronë Politike ishte shumë e rëndë. (Nuk e di, a ka qenë vetë Kadri Hazbiu në atë mbledhje, meqë ishte zëvendësministër i Brendshëm apo jo) Kadri Hazbiut i kishte thënë Mehmet Shehu që në këtë situatë unë mendoj që t’i drejtohem Leviçkinit për ndihmë, për të ndërhyrë te sekretari i Parë i KQ që të më përkrahë Leviçkini.
ARANIT ÇELA: Këtë ta ka thënë Mehmeti...
FIQIRETE SHEHU: Po, ai ma ka treguar. Desha të them se kur u bë ministër i Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu, filloi vetë nga ana e tij të punonte për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve me sovjetikët, qoftë me ish-këshilltarët e Mi­nistrisë së Brendshme, ish-këshilltarët sovjetikë, qoftë dhe direkt me Leviçkinin, me të cilin kishte miqësi shkonte dhe për gjah, si me Mehmet Shehun apo edhe veças, duke i shfrytëzuar këto raste edhe për biseda gjithfarëshe, që kishin të bënin me punën e Sigurimit ose edhe me punët e partisë. Kështu që kur erdhi rasti më 1960-1964 dhe më vonë që u prenë marrëdhëniet me BS-në dhe filloi polemika, Kadri Hazbiu natyrisht ishte për ato qëndrime që thashë dhe më vonë kur u ndërprenë marrëdhëniet edhe me Kinën, më mirë të them kur doli hapur në skenën botërore revizionizmi kinez. BS-ja bënte tratativa në këtë kohë që të afrohej me ne dhe Me­hmet Shehu i kishte dhënë porosi Nesti Nases, që në OKB të takohej me personalitete të diplomacisë sovjetike për të hedhur hapa të mëtejshme dhe më të forta tani për lidhjen e marrëdhënieve të vendit tonë me BS-në. Për këtë çështje që në fakt u konkretizua në formë bisede midis Nesti Nases dhe zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të BS, Iliçovit në OKB. Aty Iliçovi i tha ç’bëhet me miqësinë. Nesti Nase iu përgjigj, që hidhni juve hapa të mëtejshme, thoni edhe hapur që Hrushovi është shkaktar e merreni përsipër të shlyeni edhe dëmet, që na janë shkaktuar neve me këtë rast, atëherë edhe ne miqtë e BS me në krye Mehmet Shehun, do të dimë të marrim masa e të hedhim hapa të mëtejshme. Edhe për këtë çështje, si për çdo çështje tjetër, Mehmet Shehu e njoftoi Kadri Hazbiun, i cili gjithashtu si dhe në rastin e mëparshëm më ‘64-ën, e aprovoi plotësisht dhe tha që kjo ide tani duhet të konkretizohet në lidhjen e marrëdhënieve të vendit tonë me BS-në.
ARANIT ÇELA: Po për revizionizmin kinez...
FIQIRETE SHEHU: Në kohën që doli revizionizmi kinez Kadri Hazbiu shprehu pikëpamjen që, tani ne mbetëm krejt vetëm si vend, megjithatë ndoshta edhe më mirë do të jetë për vendin tonë se Kina është shumë larg, duhen tre muaj duheshin që të vinte e të kthehej vapori për të sjellë ndonjë ndihmë, kurse tani ne na intereson të lidhemi më ngushtë dhe ato marrëdhënie që kishim në fushën e tregtisë e të tjera t’i shtojmë me Jugosllavinë, sidomos dhe me Çekosllovakinë, me vende që janë edhe më fqinjë edhe që kanë teknike e teknologji më të përparuar. Kjo është periudha ‘77-‘78 nuk e mbaj mend ekzakt se kur. Lidhur me Kadri Hazbiun kam dhe një moment tjetër për të cilin mund të flas. Tjetër qëndrim armiqësor i Kadri Hazbiut në shër­bim të agjenturave të huaja ka qenë qëndrimi i tij lidhur me fejesën e djalit tonë Skënderit. Vajtja te sekretari i Parë i Komitetit Qendror për të informuar për përbërjen e familjes së Qazim Turdiut, që ishte me përbërje të keqe armiqësore dhe pastaj gjithë qëndrimi i Kadri Hazbiut që nga shtatori 1981 deri më 17 dhjetor 1981 kur Mehmet Shehu vrau veten. Këto veprime si vajtjen te sekretari i Parë i Komitetit Qendror ashtu dhe gjithë veprimet e mëvonshme që shtrihen deri më 17 dhjetor Kadri Hazbiu i ka bërë jo me kokë të tij. Përsa i përket vajtjes te sekretari i Parë në shtator, kur ai kish marrë vesh gjoja për herë të parë për këtë çështje, Kadri Hazbiu meqë ishte Mehmet Shehu në Tiranë ishte konsultuar me amba­sadën jugosllave dhe ajo e porositi, zbuluesi jugosllav, që të vin­te ai vetë ta thoshte që të paktën të shpëtohej Kadri Hazbiu në këtë rast dhe të forconte ai pozitat e tij. Ndërsa gjithë veprimi tjetër që u bë që nga shtatori dhe deri më 17 dhjetor u bë duke u koordinuar, duke përpunuar një vijë sjellje Kadri Hazbiut ndaj Mehmet She­hut, duke u mbajtur një qëndrim i dyfishtë dhe për këtë vijë sjellje e për këtë qëndrim të Kadri Hazbiut qenë informuar edhe të dy agjenturat, sovjetike dhe jugosllave, të cilat e kishin aprovuar, sidomos Jugosllavia, që i kishte thënë se duhet në këtë situatë Kadri Hazbiu ta godiste rëndë Mehmet Shehun. Po të jetë e nevojshme e shpjegoj më gjatë këtë...
vijon nesër...

Nesti Nase: Sovjetikët më thanë se Mehmeti ishte agjent i tyre

“Sovjetikët e dinin që Mehmet Shehu ishte agjent i hershëm. Kur kam qenë në Moskë në bisedat me Popiellovin, Kozllovin, Poljanskin, Andropovin e të tjerë kam mësuar se ata dinin dhe kishin të dhëna që tregonin se Mehmet Shehu ishte vënë në shërbim të zbulimeve të huaja, se dinin hollësira për të kaluarën e tij në kohën e luftës në Spanjë, për kohën që kishte kaluar në kampet e përqendrimit në Francë dhe kohën që kishte qenë për studime ushtarake në Itali. Ata (rusët) kishin studiuar edhe karakterin e tij ambicioz dhe egoist, dinin dhe synimet dhe qëllimet e Mehmet Shehut kundër Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë. Shkurt, ata dinin çdo gjë rreth aktivitetit të Mehmetit, bile e dinin dhe mënyrën e fshehtë që kishte ndjekur në shpinë të partisë. Ata i dinin të gjitha këto dhe pa hezituar më shprehën faktin, që Mehmeti ishte dhe agjent i tyre dhe mbante lidhje të rregullta dhe të fshehta me ta. U çudita me pohimet e tyre, por ndërkohë duhet të heshtja.

neser do te lexoni

Si e ka përjetuar Fiqirete Shehu mbledhjen e Byrosë Politike të 17 dhjetorit ‘81 dhe çfarë i ka treguar Mehmeti për kritikat e rrepta që i janë bërë.

Rrëfimi i Fiqirete Shehut: Ç’më tha Mehmeti pak çaste para vetëvrasjes.
Cili ishte mesazhi i letrës që mori nga Feçor Shehu, më 16 dhjetor Mehmet Shehu dhe çfarë priste ai nga takimi që kishin lënë mbrëmjen e 17 dhjetorit me Kadri Hazbiun.

Cila është e vërteta e ultimatumit të agjenturës sovjetike për Mehmet Shehun për të eliminuar fizikisht Enver Hoxhën, ose për të vrarë veten.

Nata tragjike e 17 dhjetorit ‘81 në familjen e kryeministrit dhe cilët ishin të parët, që u gjetën ato çaste fatale në vilën e kryeministrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›