E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arben Golemi, sërish në bankën e të akuzuarit

Ish-drejtori i Politikave të Turizmit akuzohet për favorizimin e disa subjekteve private
TIRANË-Prokuroria e Tiranës depoziton pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të të pandehurit Arben Golemi, nën akuzën e ngritur të "shpërdorimit të detyrës". Sipas kërkesës për gjykim, bëhet fjalë për abuzimet e konstatuara në shuma të konsiderueshme, të nxjerra nga dy inspektimit e bëra nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Auditimi i Brendshëm i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, gjatë kohës që piktori Golemi kryente detyrën e Drejtorit të Politikave. "Shtetasi Arben Golemi është denoncuar nga auditi i brendshëm i MTKRS-së, pasi dyshohet se ka abuzuar me detyrën në dhënien e titullit "person i stimuluar", për 16 subjekte të ndryshme private me biznese në bregdet",-thuhet në kërkesën për gjykim. Sipas kësaj kërkese, bëhet e ditur se Golemi në kundërshtim me procedurat ka miratuar dhënien e titullit "Person i stimuluar", subjekteve që nuk kanë shlyer detyrimet financiare për marrjen e këtij titulli, si dhe të subjekteve që nuk duhej të përfitonin. Titulli "Person i stimuluar" u jepej disa subjekteve private, duke u dhënë përparësi në investimet në bregdet. Këto subjekte lidhnin një marrëveshje me MTKRS-në, për investimet në bregdet sipas projekteve të ministrisë përkatëse për zhvillimin e turizmit, dhe njëkohësisht ishin të favorizuar në detyrime tatimore dhe ato doganore. Por auditi i brendshëm i MTKRS-së dhe KLSH-ja, nga kontrolli i ushtruar ka ngritur pretendimin se Arben Golemi në postin e ish-drejtorit të Turizmit, u ka dhënë titullin "Person i stimuluar" 16 subjekteve, të cilat nuk kishin derdhur garancinë në vlerën 25 për qind të projektit që duhej të realizonin. Në lidhje me këtë çështje, ish-drejtori i Turizmit, Golemi, është paraqitur disa herë në prokurori, ku ka dhënë shpjegime në lidhje me hetimet që kanë bërë prokuroria, duke rrëzuar akuzat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›