E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredi 10 milionëshe, në këmbim të një vize

Zbulohet skema e mashtrimit të bankës, ku u vodhën me anë të kredive false 50 milionë lekë. Tetë të arrestuar
Analisti i bankës i gjente me sekserë kredimarrësit. U premtonte 1 vizë shengen dhe iu merrte paratë
TIRANË- Kredi 10 milionëshe me dokumente false, në këmbim të një vize për në Greqi apo Itali. Kjo ka qenë skema e mashtrimit të një banke, për të cilën "hallexhinjtë" që donin të iknin në emigracion për të nxjerrë bukën e gojës e paguan me pranga. Sipas burimeve të rezervuara pranë organit të akuzës, tetë të arrestuarit, në bashkëpunim me një person tjetër të shpallur në kërkim, kanë mundur të vjedhin pesë kredi me nga 10 milionë lekë të vjetra në një bankë të njohur. "Nga hetimet disamujore, të kryera me metoda speciale nga prokurori Armand Gurakuqi në zyrën e Task-Forcës ka rezultuar se: Taip Çelaj, Mahmut Barziu, Selman Mici, Arben Beqiri, Astrit Graceni, Luan Gjika, Blendi Sharra dhe Sotiraq Vito, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprime të kundraligjshme duke mashtruar dhe vjedhur bankën, me anën e pesë kredive",-bënë me dije mbrëmë, burime nga Prokuroria. E gjithë shuma e mashtrimit, e zbuluar deri tani kap shifrën e 50 milionë lekëve.
***
Organizatori i gjithë vjedhjes është analisti i kredisë pranë kësaj banke, Taip Çelaj, i cili ka shpikur një mënyrë të re mashtrimi. Me ndihmën e "sekserëve" të tij, ai ka përdorur dokumente me të dhëna të rreme dhe në këmbim të kredive, pesë personave. Në këmbim të përfitimit të tij, ai iu kishte premtuar kredi-marrësveviza për jashtë shtetit. Sipas prokurorisë, marrja e pesë kredive është bërë në afatin kohor prej tre muajsh, kohë kur janë tërhequr nga banka rreth 50 milionë lekë të vjetra. "Analisti i kredisë, Taip Çelaj, duke shfrytëzuar detyrën që kishte, me ndihmën e sekserëve, gjente qytetarë të cilët donin të iknin jashtë shtetit kundrejt pagesave të ndryshme. "Mashtruesit" i bindnin qytetarët hallexhinj që me fotografitë e tyre dhe gjeneralitete të rreme, të tërheqin kredi 10 milionëshe, para këto që kalonin në llogarinë e analistit të kredisë.
***
"Të gjitha dokumentet për kredinë, si certifikata e sigurimeve shëndetësore, fletë të regjistrimit të biznesit, kontrata pune dhe një sërë falsifikimesh të tjera, bëheshin prej analistit të kredisë, ndërsa personi që "shiste" emrin, pajisej me një vizë shengen për në shtetin grek apo italian",-thanë burime nga akuza. Tetë të arrestuarit u prangosën pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, e cila ka caktuar në mungesë masën e sigurisë "arrest me burg". Arrestimi i tyre u krye në operacionin e policisë të koduar me emrin "Kredi e Keqe". Pasditen e djeshme, zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Klodian Branko, njoftoi median për suksesin e arritur nga policia në arrestimin e tetë "mashtruesve" dhe njoftoi për akuzat e ngritura ndaj tyre. "Mbi tetë të arrestuarit, nga ana e prokurorisë së Tiranës janë ngritur dyshimet për kryerjen e veprave penale të "vjedhjes duke shpërdoruar detyrën"; "mashtrimit më shumë se një here"; "falsifikim të dokumenteve" dhe "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror" në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 135, 143/2, 186, 191, 298 dhe 25 të Kodit Penal",-tha zëdhënësi Klodian Branko. Operacioni i arrestimit të tyre u krye rreth orës 22:00 të datës 29 janar, në tre qytete të ndryshme të vendit, në Berat, Elbasan dhe Tiranë.
TË ARRESTUARIT:
Taip Çelaj, 26 vjeç, banues në Tiranë, me punë oficer i kredisë në bankë
Mahmut Barziu, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë
Selman Mici, 44 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë
Arben Beqiri, 40 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan
Astrit Graceni, 66 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan
Luan Gjika, 47 vjeç lindur dhe banues në Elbasan
Blendi Sharra, 32 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan
Sotiraq Vito, 42 vjeç, lindur dhe banues në Berat

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›