PS reagon ndaj ndryshimeve në prokurorinë e përgjithëshme
Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Koordinimin në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, reagoi sot pas "lëvizjeve të ndërmarra në Prokurorinë e Përgjithshme, duke i konsideruar ato si një rast të paprecedent në sistemin e drejtësisë".
Sipas tij, "në emër të reformimit të institucionit, këto lëvizje sollën deformimin e tij, në një përpjekje të hapur për ta personalizuar atë".
"Vendimmarrja në Prokurorinë e Përgjithshme është jo ligjore dhe jo proceduriale, me një prapavijë të qartë politike, pasi në këtë proces ka munguar një analizë e qartë pune për katërmbëdhjetë prokurorët e lëvizur. PS vëren me shqetësim edhe veprimin e Presidentit të Republikës, i cili i ka dekretuar këto shkarkime", deklaroi zoti Xhafaj.
Megjithatë, sipas zotit Xhafaj, "lëvizjet e fundit në Prokurorinë e Përgjithshme nuk e cënojnë Paktin Kombëtar të Drejtësisë, përkundrazi të gjitha palët duhet të bëhen më të ndërgjegjshme për të bërë atë reformë të parashtruar edhe nga pakti, në përputhje me standardet demokratike, për sa i takon funksionimit të drejtësisë dhe institucionit të akuzës në veçanti"