E Diel, 1 Nëntor 2026

Arben Imami: Kosova, faktor esencial për të ardhmen e rajonit

30-05-2011 / Gazeta 55

Takimi i ministrave të Mbrojtjes të vendeve të Kartës së Adriatikut A5, në Budva të Mal i Zi

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami mori pjesë në takimin e Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të Kartës së Adriatikut, (A5), që u zhvillua në datat 26-27 maj 2011 në Budva, Mal i Zi. Zhvillimet e këtij takimi të rëndësishëm i përshëndeti Kryeministri i Malit të Zi, Igor Luksiç.
Në fjalën e tij, kryeministri Luksiç shprehu bindjen se vendet anëtare të Kartës së Adriatikut do të përmbushin të gjitha detyrimet, me qëllim integrimin e shpejtë në NATO. Përfaqësuesi i SHBA, Joseph McMillan ri-konfirmoi edhe një herë mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të vendit të tij për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Strukturat Euro-Atlantike. Ai gjithashtu vlerësoi progresin a arritur në fushën e reformave politike, ekonomike dhe të sigurisë të vendeve të A5.
Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami në fjalën e mbajtur me këtë rast, theksoi rëndësinë e zhvillimit të takimit të Ministrave të Mbrojtjes së Kartës së Adriatikut, si një tregues domethënës të bashkëpunimit për transformimin e rajonit të Ballkanit në një model të fqinjësisë së mirë, paqes, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik. Në fjalën e tij, Ministri Imami shprehu gatishmërinë për mbështetjen nga ana e vendit tonë kundrejt vendeve aspirante. Ministri Imami e vlerësoi si shumë të rëndësishëm praninë në takim të delegacionit kosovar, si një faktor esencial për të ardhmen Euro-Atlantike të rajonit.
Punimet e takimit i përshëndeti edhe Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovë, Agim Çeku. Ai konfirmoi angazhimin e vendit të tij në përmbushjen e të gjitha reformave të domosdoshme, me qëllim që edhe Kosova të rreshtohet denjësisht përkrah vendeve që promovojnë paqe, siguri dhe stabilitet. 
“Është një tregues domethënës i bashkëpunimit për transformimin e rajonit të Ballkanit në një model të fqinjësisë së mirë, paqes, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik”, tha Imami.
Ai shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për mbështetjen kundrejt vendeve aspirante, duke “vlerësuar si shumë të rëndësishëm praninë në takim të delegacionit kosovar, si një faktor esencial për të ardhmen Euro-Atlantike të rajonit”.
Ministrat e Mbrojtjes së vendeve të A5 vlerësuan pozitivisht ecurinë e reformave të gjithanshme të ndërmarra nga Kosova, si dhe siguruan mbështetjen e tyre për pranimin dhe integrimin e saj në strukturat e përbashkëta rajonale të sigurisë.
Ministrat e Mbrojtjes së vendeve të A5 rikonfirmuan angazhimin i tyre të përbashkët në Afganistan për ringritjen dhe vënien në funksionim të shkollës së Policisë Ushtarake Afgane, si një kontribut i rëndësishëm në sigurinë globale.
Ata konfirmuan edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, si dhe ranë dakord që të zgjerojnë këtë bashkëpunim, në interes të integrimit Euro-Atlantik të vendeve të rajonit.
Në takim morën pjesë ministrat e Mbrojtjes të Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, përfaqësues të Ministrive të Mbrojtjes të Maqedonisë, Kroacisë dhe SHBA-së, si dhe përfaqësues të NATO-s, Sllovenisë dhe RACVIAC. Në takim mori pjesë gjithashtu në statusin e të ftuarit, Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku.
Qëllimi i takimit ishte vlerësimi i bashkëpunimit të deritanishëm, kontributi në fushën e sigurisë globale, si dhe vijimi i përpjekjeve për anëtarësim në NATO të vendeve të A5.
Takimi u drejtua nga ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Boro Vuçiniç dhe Joseph McMillan, Ndihmës Asistent Kryesor i Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes.

Historiku i A5
Vendet e të ashtu quajturit Ballkani Perëndimor: Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, si vende anëtare të Partneritetit për paqe (PfP) dhe të Këshillit Euro-Atlantik të Partneritetit, (EAPC) pas Samitit të Pragës të viti 2002, vendosën të ndiqnin të njëjtën rrugë që ndoqën në mënyrë të suksesshme nga ish vendet Baltike, të quajtura “Grupi i Vilnusit”. Krijimi i grupit të A-3, është pjesë e vizionit për të integruar gjithë rajonin në aleancën e NATO-s, pasi të ishin plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara.
Ministritë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Maqedonisë, Kroacisë dhe SHBA, nënshkruan në Tiranë, më 2 maj 2003, “Kartën e Adriatikut”. Bashkëpunimi ndërmjet tre vendeve aspirante për t’u anëtarësuar në NATO, së bashku me SHBA si pjesë e Kartës së A3, u drejtua në një synim të vetëm: futjen e vendeve asiprante në NATO.
Në procesin e pranimit të vendeve të A-3 në Aleancë, SHBA si një partner strategjik, si dhe vende të tjera anëtare të NATO-s si këshillues specialë, realizuan një mbështetje të rëndësishme për të promovuar këtë formë të re të bashkëpunimit midis vendeve.  Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina (BiH) iu bashkuan zyrtarisht Kartës së Adriatikut, gjatë një takimi të Ministrave të Jashtëm të OSBE, zhvilluar në Helsinki, Finlandë, në datë 4 dhjetor 2008.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›