Procesi i 8 majit diskutohet edhe në SHBA më 1 Qershor

Komisioni i Helsinkit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të diskutojë në Uashington më 1 Qershor mbi procesin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri.
Në komunikatën e publikuar të dielën në faqen zyrtare të Komisionit, 8 maji cilësohet si “një mundësi për të siguruar kredibilitet, por fatkeqësisht zgjedhjet dëshmuan vijimësinë e krizës dy vjeçare”. “Pas gati dy vjetësh në një situatë politike pa krye, që prej zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, Shqipëria mbajti zgjedhjet lokale në 8 maj 2011. Këto zgjedhje ishin një mundësi për të siguruar kredibilitetin e nevojshëm për procesin elektoral dhe fundin e tensionit politik që ngadalësoi tranzicionin demokratik të Shqipërisë”, thuhet në raportin paraprak.
Në këtë seancë raportuese, që do të mbahet para trupës së Komisionit të Helsinkit, pritet të flasë edhe drejtuesi i misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR në Shqipëri, Jonathan Stonestreet.
Më pas, fjala do t’i kalojë Drejtorit rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore në Institutin Kombëtar Demokratik për Punët e Jashtme Rob Benjamin.
Shqyrtimi i situatës pas zgjedhore në SHBA, erdhi pasi Komiteti për Punët e Jashtme në PE, shprehu shqetësimin për mungesën e një rezultati paraprak në garën për Tiranën.