Eshtrat e të pushkatuarve në Institutin e Mjekësisë Ligjore
Burgu i Qafë-Barit
Eshtrat e dy të pushkatuarve të burgut “Qafë Bari”, të gjetura mesditën e të shtunës pranë stacionit të antenave të Radio Shkodrës, rreth një kilometër larg Urës së Lumit Kir, janë dërguar në Tiranë ku po ekzaminohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Dje në një komunikim me median, zëdhënësja e policisë së Shkodrës, Fatbardha Çelepia, bëri të ditur se dy skeletet të vendosur përkundrejt njëri-tjetrit, u gjetëm në thellësinë 1.1 metër, gjatë kërkimeve të familjarëve. “Pasi u nxorën skeletet, u konstatua një shishe e vogël qelqi, pa tapë e mbushur si edhe një shishe tjetër e cila kishte brenda një letër shkruar me shkrim dore “Sokol Sokoli”, citon zëdhënësja Çelepia.
Më pas, ajo shtoi se “nga deklarimet e marra shtetasit Simon Gjon Sokoli 48 vjeç, lindur në fshatin Lekbibaj rrethi Tropojë e banues në Tiranë dhe shtetasit Gjelosh Kol Ndoja 45 vjeç, banues në fshatin Juban, Komuna Guri i Zi, rrethi Shkodër, rezulton se skeletet e gjetura i përkasin respektivisht, Sokol Zef Sokoli i vitlindjes 1952, lindur në fshatin Polo-Lekbibaj rrethi Tropojë, i pushkatuar me vendim Gjyqësor më datë 09. 06. 1984 ora 24.00, “Për pjesëmarrje në revoltën e të burgosurve politik në burgun e Qafës Barit – Puke”, dhe. Tom Kol Ndoja, vitlindja 1952, lindur në Kllogjen rrethi Shkodër, i pushkatuar me vendim gjyqësor datë 09. 06. 1984 ora 24.00 “Për pjesëmarrje në revoltën e të burgosurve politik në burgun e Qafës Barit - Pukë”. Në saktësimin e vendit ku ndodheshin skeletet e dy shtetasve ndihmoi “Shoqata e të Burgosurve Politik”.
Zëdhënësja theksoi se provat (eshtrat) u dërguan për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore Tiranë. U kryen veprimet para paraprake dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për hetime të mëtejshme.