Arben Kondi promovon një kolanë për Çamërinë

Arben Kondi
Një kolanë librash për Çamërinë u promovua dje në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Bëhet fjalë për korpusin letrar e historik të shkrimtarit Arben Kondi, ku përfshihen 8 vepra të autorit kushtuar Çamërisë dhe Kosovës. Ky aktivitet vjen në kuadrin e Javës së Historisë dhe Kulturës së Çamërisë. Njerëz të letrave, politikanë e njerëz të thjeshtë, të cilët janë të lidhur me njëri-tjetrin nën emrin e Çamërisë, morën pjesë dje në këtë ceremoni. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi vlerësoi se shqiptarët e Çamërisë dhe shqiptarët e Kosovës, si dy pjesët e kombit shqiptar që kanë pësuar më shumë goditje nga historia, janë motor lëvizës i kombit tonë. Në kuadër të Javës së Kulturës dhe Historisë së Çamërisë, në Ministrinë e Kulturës po promovohet një kolanë e cila bashkon dy pjesë të kombit shqiptar, që së bashku kanë vuajtur dhe janë syrgjynosur, shqiptarët e Çamërisë dhe shqiptarët e Kosovës. Më lejoni që si ndjenjë personale të falënderoj shqiptarët e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj një prej çështjeve më të pazgjidhura kombëtare, çështjen çame, tha Idrizi. Sipas autorit të kësaj kolane, Arben Kondi, kjo përmbledhje nuk i kushtohet vetëm Çamërisë, por edhe pjesës tjetër të shqiptarëve, Kosovës. Mes veprave të kësaj përmbledhjeje renditen tituj, si Djaj në Veladon, Barbarët, Rikthim në Çamëri, apo Tmerri, i cili është botuar ditët e fundit. Krijimtarinë letrare dhe publicistike të Kondit e vlerësoi edhe aktori Reshat Arbana.