Dokumenti, si dështoi demonstrata para KQ në mars 89

SELIA E ISH-KOMITETIT QENDROR TE PARTISE SE PUNES, KU ISHTE PARALAJMES, KU ISHTE PARALAJMERUAR DEMONSTRATA E 13 MARSIT 1989
Të pathënat e organizatës ilegale në Tipografinë Ushtarake.
Si dështoi demonstrata para KQ mëngjesin e 13 marsit 89
Ishte paralajmëruar më parë nëpërmjet 5000 komunikatave të shpërndara në Shkodër, Durrës e Tiranë.
Në mars të vitit 1989, në Tipografinë Ushtarake në Tiranë, ku shtypeshin buletinet e Partisë të shkallës sekret e tepër sekret dhe dokumentet zyrtare të klasifikuara të tilla, u zbulua një organizatë antikomuniste që synonte përmbysjen e pushtetit popullor.
Lajmi i bujshëm tronditi mbarë opinionin, pavarësisht përkujdesjes së shërbimeve sekrete për ta izoluar e fshehur ngjarjen. Këtë radhë elementi antiparti nuk i kishte shpëtuar vetëm vëzhguesve vullnetarë të Sigurimit, por edhe armatës së rojeve të shumta që vigjilonin Non stop në çdo pëllëmbë t렠 shtypshkronjës. Për autoritetet zyrtare, organizata e mirëstrukturuar Komiteti për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar, siç ishte vetëpagëzuar grupi i tipografëve rebelë, paraqiste rrezikshmëri të lartë. Të tillë e bënte platforma, synimet dhe sidomos thirrja e bërë së fundi për të demonstruar para selisë së Komitetit Qendror revoltën popullore kundër krerëve të regjimit. Dokumentet e kohës përmbajnë provat e siguruara në rrugë operative dhe rrethanat specifike si u zbulua grupi që operonte në bazën e sigurisë së lartë në zemër të Tiranës…
Lajmi nga Shkodra
Në raportin e pasmesnatës të 10 marsit 1989, zyrtarët e degës së Brendshme të Shkodrës informonin eprorët e tyre në Tiranë se grupe të paidentifikuara kishin shpërndarë e vendosur në vendet më të dukshme të qytetit komunikata me përmbajtje thellësisht armiqësore. Sqarimet e mëtejshme bënin të ditur autorësinë e këtyre veprimeve, pas të cilave qëndronte organizata e vetëpagëzuar Komiteti për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar. Komunikata e saj mbyllej me thirrjen për një tubim publik ditën e hënë, mëngjesin e 13 marsit 89, para selisë së Komitetit Qendror për të kërkuar dorëheqjen e lidershipit komunist. Kjo veçohej si pjesa më e rëndësishme dhe serioze e raportit nga Shkodra. Ai përfundonte me njoftimin për arrestimin e dy të dyshuarve. Reagimi i menjëhershëm ndaj situatës së papritur nisi me shqyrtimin e ekzemplarëve të sjellë me urgjencë nga qyteti verior. Ndryshe nga rastet e tjera të këtij karakteri, kujton njëri nga oficerët e Sigurimit të Ushtrisë, që ka ndjekur çështjen, fletushkat e 10 marsit 1989 nuk i përkisnin produktit të makinës së shkrimit, por teknologjisë më të përparuar të shtypshkrimeve. Ky fakt mundësonte identifikimin e shpejtë të makinerisë që i kishte prodhuar. Një të tillë, shton eksperti ushtarak, dispononte vetëm Tipografia Ushtarake në kryeqytet. Kjo, sipas tij, konfirmoi pa mëdyshje se komunikatat ishin shtypur aty. Tanimë mbetej zbulimi i autorëve dhe teknikëve që ishin marrë me riprodhimin e tyre. Por a mund të mbërrihej te ta kaq shpejt? Situata, sado delikate, nuk paraqitej e pamundur për tu zgjidhur…
Dy të arrestuarit
Petrit Nuri Ishmi dhe Xhuljeta Cuka, dy të arrestuarit në orët e vona të 10 marsit 1989, fillimisht u përballën me akt-ekspertimin e komunikatave të shpërndara në Shkodër, ku konfirmohej riprodhimi i tyre në makineritë e Tipografisë Ushtarake. Në çastet e para, dy të dyshuarit, asokohe punonjës të kësaj ndërmarrjeje, u munduan të mohojnë çdo lidhje me ngjarjen, por nuk u funksionoi. Mënyra si ishin siguruar provat dhe rezultatet e ekspertimit të komunikatave nuk linin shteg për asnjë lloj alibie. Ishte kjo arsyeja që Ishmi dhe Cuka pa shumë rezistencë rrëfyen gjerë e gjatë aktivitetin e organizatës së tyre. Dëshmitë e Ishmit dhe Cukës ishin befasuese, shprehet ish-oficeri i Sigurimit të Ushtrisë që është marrë me çështjen, duke iu rikthyer profilit dhe rrezikshmërisë së grupit që kishte vepruar në zemrën e një baze sekrete në kryeqytet. Njëherazi me autorësinë e komunikatave, dy të prangosurit pohuan me detaje historinë e organizatës ilegale, krijuar në vjeshtën e vitit 1987. Rrëfimi i tyre çoi sakaq në kryqëzimin e një tjetër protagonisti të grupit që operonte në Tipografinë Ushtarake. Emri i Alfred Berishës, i denoncuar rishtas nga Ishmi dhe Cuka, nuk ishte i panjohur për Policinë e Tiranës. Prej kohësh ai ishte skeduar si organizatorë i shpërndarjes së fletushkave e trakteve armiqësore në kohë e vende të ndryshme me bojë, laps dhe mjete të forta. Ballafaqimi në proces zbardhi gjithë misteret e çerdhes antikomuniste që vepronte aty ku shtypeshin buletinet sekrete…
Provat tronditëse
Në raportin e datës 13.3.1989 të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës për sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë të rrethit jepet një pasqyrë e zgjeruar e ngjarjes së pazakontë në ndërmarrjen e sigurisë së lartë në kryeqytet. Njëherazi me të dhënat e tre të pandehurve, aty përshkruheshin me hollësi tërësia e provave të pakontestueshme të siguruara deri në atë moment. Dokumenti nënvizon se grupi i tipografëve të arrestuar kishte përgatitur 5000 copë komunikata dhe i kishte ndarë në tri pjesë të destinuara për ti shpërndarë brenda datës 10.3.1989 në qytetet Shkodër, Durrës e Tiranë. Raporti vë në dukje se nga kjo sasi e konsiderueshme, 2000 copë janë gjetur në shtëpinë e Petrit Nuri Ishmit, 1560 copë ishin grumbulluar në qytetin e Shkodrës dhe pjesa tjetër ishte gjetur në një qendër zjarri në qytetin e Durrësit. Pjesa më e mistershme e njoftimit për kreun e partisë së kryeqytetit ishte konstatimi se pas grupit të tipografëve fshihej një diplomat i një vendi perëndimor në Tiranë. Nga aq sa kishin zbuluar deri në atë periudhë organet e specializuara, bëhej fjalë për atasheun kulturor të Ambasadës së Francës në vendin tonë, Luc bounol La Font. Veç dyshimeve të forta, dokumenti shprehej i rezervuar për rolin e tij në aktivitetin e organizatës së vetëquajtur Komiteti për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar. Sidoqoftë, provat e ofruara nga Drejtoria e Punëve të Brendshme ishin tronditëse dhe kërkonin vlerësimin maksimal. Situata që përjetonte vendi dhe zhvillimet politike në Europën Lindore e bënin ngjarjen edhe më alarmante…
Mysafiri nga Franca
Në shqyrtimin e të dhënave për Luc bounol La Font, diplomatit francez në vendin tonë dhe rolit të tij në aktivitetin e organizatës antikomuniste të tipografëve, shërbimet e specializuara kishin zbardhur një biografi të përmbledhur të tij. Mysafiri nga Franca, i datëlindjes 1964, i ardhur në vendin tonë më 8.9.1988, ishte zotërues i gjuhës frënge, ruse, ceke e së fundi kishte mësuar edhe pak shqip. Më herët kishte pasur një përvoje të shkurtër si stazhier në Moskë ku kishte ndjekur çështjet e vendeve të Traktatit të Varshavës. Të dhënat e para konstatonin prirjen e tij për të përhapur influencën e vendeve të Traktatit të Varshavës dhe në veçanti atë të Bashkimit Sovjetik. Ndërkaq, ishte provuar se Luc bounol La Font mbante lidhje të fshehta dhe zhvillonte takime të shpeshta me tre të pandehurit e procesit të tipografisë. Me emrin e tij lidhej më së shumti ideja e krijimit të një organizate ilegale për të sensibilizuar opinionin kundër regjimit. Pohimet e Petrit Nuri Ishmit dhe Xhuliana Cukës konfirmonin faktin që Luc bounol La Font, mori pjesë në formulimin e tekstit të komunikatës dhe ideoi planin për demonstratën antikomuniste para selisë së Komitetit Qendror mëngjesin e 13 marsit 1989.
Të pandehur, tipografët që shtypnin buletinet sekrete
Dosja e dënimit të Petrit Ishmit, Frederik Berishës e Xhuljeta Cukës