Sherr në Cirk, drejtori godet zhongleren

Zhonglerja e Cirkut Kombëtar, Irida Dori
Debati nisi prej ardhjes me vonesë të punonjëses.
Fatos Roshi: Jemi grindur, por se kam qëlluar, kam dëshmitarë. Është luftë për post.
Drejtori i Cirkut ka goditur punonjësen. Ky ishte lajmi që qarkullonte dje në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe pa diskutim në ambientet e Cirkut Kombëtar, i njohur deri para pak kohësh si Cirku i Tiranës.
Ka qenë vetë Irida Dori, zhonglere prej vitesh në cirk, e cila e ka çuar këtë çështje deri në Ministri, ku është ankuar se drejtori i komanduar i Cirkut, Fatos Roshi, e ka goditur dje paradite. E kontaktuar nga gazeta Panorama, Dori nuk ka pranuar të flasë, ndërsa është shprehur e tronditur për ngjarjen që kishte ndodhur. Ajo nuk pranoi të fliste dhe duket se ishte penduar që kjo ngjarje kishte marrë përmasa të mëdha, por as e mohoi të kishte ndodhur një gjë e tillë. Sipas kolegëve të saj, të cilët nuk duan të bëjnë emrat e tyre publikë, mes drejtorit dhe punonjëses ka ndodhur fillimisht një debat me fjalë, i cili ka lindur si rezultat i ardhjes me vonesë në punë nga ana e artistes. Këtë fakt e ka pranuar edhe vetë drejtori Roshi. Por, sipas kolegëve të zhongleres, debati ka degjeneruar në fjalë fyese dhe është parë që Roshi ta ketë shtyrë Irida Dorin e ta ketë goditur atë. Në këtë pikë mësohet që Dori të ketë çuar fjalë në Ministri mbi sa më sipër. Sipas një kolegeje të Dorit, ishte e vërtetë që ajo kishte ardhur pak me vonesë në punë, por se gjatë kësaj jave artistja ka pasur të ëmën e sëmurë rëndë. Sa i përket faktit që vetë Dori nuk pranon të flasë mbi sa ka ndodhur, ajo thotë se ndoshta nuk flet për shkak të frikës për vendin e punës, çka nuk duket shumë e normale, përderisa ka qenë vetë ajo që ka njoftuar mbi ngjarjen e ndodhur dje.
Drejtori

Drejtori i Cirkut, Fatos Roshi
Nga ana e tij, drejtori Roshi nuk e pranon ta ketë goditur zhongleren. Ai pranon se ka pasur një debat me punonjësen Irida Dori, e cila kishte ardhur me vonesë në punë, dhe për këtë arsye i është prerë dita e punës. Ashtu si ka ndodhur edhe me disa punëtorë të tjerë, ndaj të cilëve është marrë e njëjta masë. Nuk e kuptoj se përse kjo ngjarje u bë kaq e madhe. Ajo është një nga punonjëset që unë e kam mbështetur gjithmonë, ashtu si edhe punonjësit e tjerë të kolektivit, por kur vjen puna për të zbatuar ligjin, unë do ta zbatoj atë, thotë Roshi. Ai është në dijeni të faktit që punonjësja është ankuar deri në MTKRS dhe thotë se e gjithë kjo histori ndodh në vazhdën e një fushate për postin e drejtorit. Unë jam artist, kam 55 vjet këtu, posti i drejtorit është i përkohshëm për mua. Unë e di se kush fshihet pas asaj vajzës. E gjithë çështja është për postin e drejtorit, të cilin unë jam i gatshëm ta lë që tani. Por, në momentin që jam në këtë pozicion, kjo është një këmborë që unë duhet ta tund dhe duhet të zbatoj ligjin, vazhdon ai, teksa mohon se ka ushtruar dhunë fizike ndaj zhongleres. Nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë. Ne jemi një kolektiv shumë i mirë dhe kemi marrëdhënie me njëri-tjetrin si vëllezër e motra, edhe këtë vajzën e dua fort. Edhe po ti kisha dhënë një shpullë, për shkak se është mbesa e një shokut tim të ngushtë, do të ishte e mirëkuptueshme. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur dhe për këtë kam dëshmitarë, pasi në atë moment janë ndodhur edhe 5-6 persona të tjerë, thotë Fatos Roshi. Variantin e drejtorit e mbështet edhe një nga artistët e qendrës kulturore Tirana, djali i Fitnete Rexhës, sipas të cilit, është e pamundur të ketë ndodhur një gjë e tillë. Ai është burrë 60-vjeçar e nuk do tia lejonte kurrë vetes që të qëllonte mbi një punonjëse, thotë ai, teksa përmend faktin që cirku ka një kolektiv model dhe asnjëherë më parë nuk ka pasur probleme të tilla.
ALMA MILE