E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arben Laze i ofron "çekun e bardhë" gjykatës

Presidenti i Klubit të Futbollit Elbasani, i arrestuar
nën akuzën e trafikut ndërkombëtar
të drogës, i ka kërkuar dje Gjykatës
së Apelit për Krime të Rënda të vendosë
shumën në para si kaucion për lirimin e tij nga
burgu. Në vlerësimin e masës së sigurisë, ku disa
javë më parë Gjykata e Shkallës së Parë vendosi "arrest
me burg" për biznesmenin, Lazi i depozitoi togave
të zeza një "çek të bardhë", mbi të cilin
kryegjyqtari i çështjes të vlerësonte shumën në para
për lirimin e tij me kusht. Kërkesa e Lazes u kundërshtua
nga prokurori i çështjes, i cili kërkoi që 41-vjeçari
të qëndronte në burg, pasi ekzistonin mundësitë që
ai të largohej nga Shqipëria, edhe pse ofron një garanci
të majme pasurore. Sipas prokurorit, vepra penale
për të cilën akuzohet Laze është e rëndë dhe përbën
rrezik për popullatën. Nëse gjykata do të vendosë
që ta lirojë, sipas prokurorisë, ai mund të "arratiset".
Këto argumente janë kundërshtuar nga mbrojtja
e Arben Lazes. Avokati pretendoi se kërkesa e
prokurorisë është absurde, pasi 41-vjeçari është person
publik dhe presidenti i një skuadre futbolli.
Kërkesa e mbrojtjes
Avokati i Arben Lazes, në fillim të seancës për
vlerësimin e masës së arrestit, deklaroi se klienti i
tij është i gatshëm që të paguajë çdo shumë, me
qëllim që klienti të rifitojë lirinë. Sipas tij, gjykata
të çmojë me para "lirimin" e presidentit të Klubit
të Futbollit të Elbasanit. "Arben Laze është një
person publik dhe i njohur në mbarë Shqipërinë.
Ai është presidenti i skuadrës së futbollit të Elbasanit,
ekip i cili, nën drejtimin e tij, është shpallur
kampion kombëtar. Në këto kushte i kërkoj
gjykatës një masë lehtësuese ndaj klientit tim,
pasi ai nuk përbën rrezik për t‘u larguar nga Shqipëria.
Aktualisht Laze është ende në drejtim të
klubit të futbollit dhe ka disa biznese në Shqipëri",
deklaroi mbrojtja e Lazes, duke i kërkuar gjykatës
masa lehtësuese. Por menjëherë ka reaguar akuza,
duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit të Shkallës
së Parë të gjyqësorit. Sipas prokurorisë,
garancia pasurore e presidentit të Klubit të Futbollit
Elbasani nuk mund të garantojë mosarratisjen
jashtë vendit të të arrestuarit.
Masa e sigurisë
Pas pretendimeve të palëve, gjykata vendosi që
presidenti i Klubit të Futbollit të Elbasanit, Arben
Laze, i arrestuar pak kohë më parë si i dyshuar në
trafikun e drogës, do të qëndrojë në paraburgim
deri në përfundim të hetimit të hapur ndaj tij nga
Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gjykata e Apelit e
Krimeve të Rënda vendosi dje të caktojë masën e
sigurisë së "arrestit me burg" ndaj Arben Lazes,
duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm marrë
ndaj tij nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Laze dhe tre persona të tjerë janë prangosur disa
ditë më parë në operacionin policor të koduar "Mesfushori",
i organizuar nga Policia e Shtetit dhe
Prokuroria e Krimeve të Rënda, si të dyshuar në
trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai dyshohet
se ka kryer trafik droge nga Maqedonia drejt
Shqipërisë. Droga, pasi mbërrinte në vendin tonë,
përdorej për të furnizuar disa grupe kriminale, që më
pas e trafikonin drejt Italisë dhe Greqisë. Prokuroria
ka zbardhur linjën e trafikut, ndërsa ka arrestuar edhe
vëllanë e Arben lazes. Në pranga kanë rënë edhe dy
shtetas nga qyteti i Fierit për të njëjtën vepër penale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›