Kryeministri sulmon ashpër Ramën nga Durrësi
Beteja elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit nisi nga Durrësi me premtimet e kreut të pozitës për integrim, lëvizje të lirë pa viza dhe mirëqenie për shqiptarët. Një port më modern, dyfishim të rrogave të mësuesve dhe infermierëve, një park energjetik dhe industrial që do të jenë më të mëdhenjtë në vend u janë premtuar durrsakëve, pavarësisht debateve që ka çelur në publik ndërtimi i TEC-it italian dhe parkut energjetik në përgjithësi. Lufta kundër korrupsionit dhe tolerancës 0 ndaj tij shihet nga kreu i PD-së si një prerje me gërshërë të duarve që zgjaten drejt xhepave të qytetarëve. Një thirrje nga Durrësi është bërë nga Berisha për kryetarin e opozitës, të cilit i ka kërkuar të merret me ndryshimin e emrit në Edvin, pasi asgjë tjetër sipas rivalit politik nuk pritet të ndodhë: "Edi, s‘të mbetet gjë tjetër veç të ndërrosh emrin. Bëhu Edvin se unë dhe ju po punojmë për mirëqenien, integrimin, për të përmirësuar jetën e shqiptarëve…" Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga kryeparlamentarja Topalli, disa ministra, deputetë dhe drejtues lokalë të PD-së në Durrës kanë marrë pjesë në një aktivitet festiv të organizuar në pallatin e sportit "Ramazan Njala" me rastin e 18-vjetorit të themelimit të kësaj force politike në qytetin bregdetar. Gjithçka ka nisur me një kronikë të zgjeruar që fikson momentet e para të themelimit të PD-së, si forcë politike që do të mblidhte shqiptarët dhe idealet e tyre për liri e demokraci, rolin e kësaj partie në proceset demokratike dhe arritjet gjatë qeverisjeve të saj.