Baraj: Kryeministri Berisha vazhdon të gënjejë
Kryetari i Partisë Socialiste të degës së kryeqytetit Besnik Baraj, deklaroi dje se kreu i qeverisë gënjeu kur tha se ligji i dosjeve është me standarde evropiane, sepse sot, sekretari i Përgjithshëm i KE tha të kundërtën. "Gënjeu kur tha se prioriteti i tij është pajisja me karta, sepse ditë për ditë po vërtetohet, që qeveria s‘ka as plan, as kalendar, as shqetësim maksimal, për këtë çështje jetike për Shqipërinë e vitit 2009", tha Baraj. Sipas tij, të njëjtën gjë bëri Berisha kur tha se ratifikimi i MSA është meritë e qeverisë, sepse MSA u ratifikua falë të gjitha kontributeve në vite të të gjitha palëve. "Nëse u vonua kaq shumë një ndër shkaktarët kryesorë është vetë Sali Berisha, simboli i një politike të vjetër, që prej 18 vjetësh i ka lënë shqiptarët, jo vetëm pa drita, pa ujë, pa punë, por së fundmi ua merr taksat për të reklamuar gënjeshtrat e qeverisë së tij", nënvizoi Baraj.