E Diel, 1 Nëntor 2026

"Dashuria" e fundit e Che Guevara

Isha në kulmin e rinisë dhe
bukurisë sime vajzërore dhe
mbi të gjitha kisha një kurajo e
guxim të jashtëzakonshëm. Isha e
gatshme që të merrja përsipër çdo
lloj rreziku. Jetoja si në përrallë, në
një përrallë që do të më ndryshonte
realitetin dhe vetë jetën. Ishte
shtatori i vitit 1967 kur dëgjuam për
ardhjen e guerrilasve. Në atë periudhë
nuk e kisha idenë se sa serioze
ishte situata. Ishte një lajm që
e dëgjova në radio dhe nuk i
dhashë shumë rëndësi. Për mua
ishte si të dëgjoja se të nesërmen
do të binte shi dhe se duhej të dilja
me çadër nga shtëpia. Nuk e dija
mirë se kush ishte Che Guevara.
Kisha dëgjuar se ishte kreu i një
grupi guerrilas, një luftëtar sypatrembur
dhe se qe çuditërisht
një person shumë i sofistikuar.
Isha kurioze ta shihja se si ishte nga
afër. Një muaj më pas, më 8 tetor,
isha rrugës drejt shkollës ku jepja
mësim, në fshatin La Higuera. Pak
para se të arrija, dëgjova disa
shpërthime. Tymi kishte mbuluar
tërë zonën dhe një avion ose helikopter,
nuk jam e sigurt, fluturonte
fare ulur me tokën, duke lëshuar
një hungërimë çjerrëse. E befasuar
nga një situatë e tillë, ia dhashë të
qarit. Një ushtarak m‘u afrua dhe
më vuri dorën në sup, duke më
thënë të mos shqetësohesha,
sepse beteja me guerrilasit kishte
përfunduar. Gjatë asaj dite, diku
nga orët e drekës, ndërsa kisha
hedhur vështrimin nga dritarja e
klasës ku jepja mësim, më zunë
sytë një portret të njohur. Ishe
Che. Po ecte me vështirësi, i shoqëruar
nga dy roje. Në këtë përballje
të parë me personin për të
cilin kisha shumë kuriozitet, nuk
munda të vë re ndonjë gjë të madhe,
vetëm se mësova që gjatë asaj
nate atë e mbajtën mbyllur pikërisht
në shkollën time. Ishte i rrethuar
nga roje të shumta dhe
askush nuk mund t‘i afrohej, apo
ta kontaktonte. Mëngjesin e
nesërm, një nga ushtarët që i qëndronte
pranë ishte duke dëgjuar
lajmet në radio. Në to thuhej se
Che ishte vrarë në xhunglën boliviane.
Një lajm i tillë më zgjoi edhe
më shumë kureshtjen, pasi unë e
kisha para të gjallë me sytë e mi.
Në këto e sipër, mora një vendim
shumë të rrezikshëm. Të shkoja në
shkollë e ta takoja ballë përballë
dhe ta pyesja se përse kishte zhvilluar
një betejë në fshat. Në mesditë,
vendi ku Che ndodhej nuk
ishte i rrethuar nga shumë roje,
ndaj unë nuk e pata të vështirë të
depërtoja deri në derën e dhomës
ku ishte "rebeli". Dera ishte
gjysmë e hapur, por dhoma ishte
shumë e errët dhe Che qe ulur
diku nga fundi i saj. Ishte shumë e
vështirë për ta shquar në tërë këtë
errësirë. Ndërsa tentoja të hyja,
ushtari që ruante derën u kthye
dhe më tha: Julia, kërkon të takosh
Che? Epo mirë, mund të hysh
për pak.
Unë aq desha dhe bëra përpara.
Sapo më pa, Che më fiksoi
gjatë me sytë e tij të zinj e depërtues.
Edhe unë po e vështrojë,
edhe pse me një ndrojtje të dukshme.
Nuk dija ç‘të bëja, ndaj
buzëqesha. Të kuqtë më kishte
mbuluar fytyrën dhe ndihesha në
siklet, madje më shumë se kaq, e
tronditur. Mendoja se do të përballesha
me një burrë të shëmtuar
dhe të keq, por si për çudinë time
përpara kisha një burrë mrekullisht
të bukur. Pamja e jashtme ishte
një rrënim i vërtetë. Ai dukej i
lodhur, i palarë, me rrobat e grisura,
por sytë i shkëlqenin çuditërisht
me një dritë të jashtëzakonshme.
Dukej, pavarësisht ku ishte,
si një njeri i lumtur, me një lumturi
që përcillej përmes syve.
Pikërisht kjo dritë më bëri edhe
mua të ndihesha befas e lumtur.
Isha sikur të më kishte goditur një
rreze e fuqishme drite. Fjalët e para
që më tha ishin komplimente. Më
tha se isha një vajzë shumë simpatike
dhe guximtare. Unë e pyeta se
përse po luftonte dhe ai m‘u
përgjigj se idealet ishin ato që e
kishin mbajtur gjallë e i kishin
dhënë forcë për të përballuar
shumë vështirësi. Më pas më tha
se e kishim gabim kur mendonim
që ishte një njeri i keq dhe se e
gjithë përpjekja e tij, lufta e tij dhe
sakrifica e tij, ishin në favor të të
dobtëve dhe të pambrojturve, e se
ata që i donin të keqen ishin po ata
që urrenin njerëzimin dhe po e
fusnin në një kurth të errët. Më pas
më kërkoi pak ushqim dhe unë i
çova ca supë. Che ishte aq i uritur,
sa e përpiu të tërën me një frymë.
Ndërsa hante, unë rrija para tij si e
magjepsur. Nuk mund të hiqja
vështrimin nga fytyra dhe mënyra
se si lëvizte. Disa çaste më vonë e
nxorën jashtë dhomës dhe para
kësaj u pamë në sy gjatë. Ishte një
vështrim i thellë dhe shumë intensiv.
Edhe kur e morën, vazhdoja të
mos ia ndaja sytë, duke e ndjekur
nga pas rojeve si një e magjepsur.
Ai po largohej, e ndërsa rojet e
tërhiqnin, u kthye befas dhe më
pa në një mënyrë që ka mbetur e
gdhendur edhe sot në zemrën
time. Ai vështrim është gjëja më e
çmuar që do të marr me vete kur të
vdes dhe ka qenë pasuria më e
madhe e jetës sime. Ishte e pamundur
që të mos bije në dashuri me
një qenie të tillë të mrekullueshme,
e cila të emociononte në
një mënyrë të tillë vetëm me një
vështrim. Ai ishte një qenie pabesueshmërisht
e bukur dhe bukuria
e tij ishte tronditëse. Më pas u
ktheva në shtëpi. Ndërsa po hyja
në oborr, dëgjova disa të shtëna.
Ngriva si e goditur nga rrufeja dhe
u ktheva drejt shkollës. Në hyrje të
oborrit pashë një trup të shtrirë sa
gjatë e gjerë. Krahët i kishte të
hapur, po ashtu edhe sytë. Vështrimin
e kishte të ngulur te dera e
shkollës. Dukej sikur ende vazhdonte
të më vështronte. Në sytë e
tij kishte ende aq shumë jetë, saqë
në fillim mendova se ishte i gjallë.
Nuk ngopesha së e pari, duke u
lutur e shpresuar se ndonjë
mrekulli do ta ngjallte. Asgjë nuk
ndodhi. Më pas, ngadalë sytë
nisën t‘i merrnin një ngjyrë verdhacake,
ngjyra tipike e të vdekurit.
Fytyra e tij e zbehtë sa vinte e i
ngjante më shumë asaj të Jezu
Krishtit. Ndërsa e shihja t‘i ndryshonte
ngjyra, ndieja edhe ndryshimin
e ndjenjave të mia. Lumturia
e madhe që më përcolli vështrimi
im pak më parë, po shndërrohej
në një hidhërim të thellë, që
po më tkurrte zemrën e po më
merrte frymën. Doja të ikja, por
këmbët nuk po më bindeshin.
Isha ngulur aty, përballë një kufome,
kufomës së burrit me të cilin
jeta më përballi për aq pak kohë,
por në një mënyrë aq intensive, sa
të më ndryshonte tërë jetën. Në vesh
më ushtonte gjithnjë e më i fortë zëri
i tij. Ajo çka më bënte përshtypje ishte
mënyra shumë e kulturuar e sjelljes
së tij. Edhe në momentet e fundit
ishte plot dinjitet, si një zotëri i
vërtetë. Ndihesha aq me fat dhe aq
e nderuar që e kisha takuar dhe jam
e bindur se në Tokë nuk do të vijë më
kurrë një person si ai. Che nuk ishte
ai që na kishin bërë të besonim se
ishte, pra një monstër guerrilase.
Për mua ai ishte mashkulli më i
bukur që kisha parë, më burrëror
dhe më inteligjent. Edhe sot më kujtohet
gjithçka, sikur të ishte dje. Shoh
se si Che arriti në La Higuera, si u përballa
për herë të parë dhe si e pamë
aq thellësisht njëri-tjetrin me një
vështrim që më djeg përbrenda përjetësisht...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›