E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama pranon dorëheqjen e Zamir Shtyllës

Kryeprokurorja Ina Rama ka
pranuar dorëheqjen e Zamir
Shtyllës, duke e larguar nga
drejtimi i procesit hetimor të
tragjedisë së Gërdecit. Kryeprokurorja
ka pritur 48 orë për të vendosur për fatin
e Shtyllës, i cili tashmë do të jetë një
prokuror i thjeshtë. Lajmi bëhet i ditur
nga burime zyrtare pranë akuzës qendrore.
Sipas tyre, vendi i lënë bosh do
të zihet nga prokurori Sokol Stojani, i
cili bën pjesë e grupit të prokurorëve
që po hetojnë tragjedinë e 15 marsit
2008 në Gërdec, ku u vranë 26 persona
dhe 300 të tjerë u plagosën pas shpërthimit
të një depoje municioni. Burime
pranë akuzës qendrore thanë se arsyeja
e pranimit të kërkesës së Zamir Shtyllës
lidhet me marrjen e masave për
mospolitizimin e kësaj dosjeje. Zyrtarë
të prokurorisë deklaruan se vendimi
është në të mirën e një procesi hetimor.
Mësohet se numri një i akuzës ka pranuar
edhe dorëheqjen e Shtyllës nga
posti i drejtorit të hetimit dhe ndjekjes
penale. Edhe ky pozicion do të zihet
nga Stojani, i cili ka ardhur në
Prokurorinë e Përgjithshme pas Ina
Ramës. Më parë, Stojani ka qenë
prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Në
karrierën e tij, ai ka hetuar disa dosje
të bujshme, madje ka qenë pjesë e
prokurorëve që hetuan vrasjen e deputetit
Azem Hajdari. Gjithashtu, ai ka
hetuar disa dosje të firmave piramidale.
Stojani ka hetuar gjithashtu
dosjen e tenderit të pasaportave. Në
CV-në e tij regjistrohet edhe hetimi për
vdekjen e Kosta Trebickës. Për këtë ngjarje,
Stojani u ngarkua nga Kryeprokurorja
të verifikonte hetimet. Në
fund, por jo nga rëndësia, renditet hetimi
për tragjedinë e Gërdecit. Deri para
disa orësh, shef kishte Shtyllën por që
sot, hetimet do t‘i drejtojë vetë.
Ndërkohë, Shtylla, sipas burimeve nga
Prokuroria e Përgjithshme, vazhdon të
jetë prokuror pranë Prokurorisë së
Përgjithshme. Por vetë ai, në një prononcim
për gazetën "Shqip", deklaroi se
edhe mund të largohet përfundimisht
nga sistemi i prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›