Veliaj: Inkurajojmë të rinjtë të pajisen me karta
Drejtuesi i G99, Erion Veliaj, u paraqit dje te posta qendrore e kryeqytetit për të paguar dhe marrë kuponin e aplikimit për kartë identiteti. Veliaj tha për mediat se "ne e dimë që ka filluar një proces i marrjes së kartave të identitetit që si çdo proces me përmasa kaq të mëdha është i komplikuar dhe do të dojë kohë". Sipas tij nuk ka nevojë të krijojmë panik apo histeri në publik, por duhet t‘i inkurajojmë të gjithë të pajisen me kartë dhe të bëjnë identifikimin dhe regjistrimin. Teksa kësaj qeverie i ra për hise ky proces dhe e rëndësishme është që ai të kryhet sa më mirë dhe me sa më pak probleme. "Manuali i ndryshimit për vitin 2009 ka dy hapa kryesorë, regjistrohemi në fillim për të drejtën e votës dhe më pas votimin për të sjellë ndryshimin në 2009", nënvizoi Veliaj. Ai tha se qeveria duhet të ketë prioritet në pajisjen e qytetarëve me karta duke vënë në radhë të parë ata qytetarë që nuk kanë pasaporta, pra që nuk disponojnë mjete identifikimi të vlefshëm për procesin e votimit.